
Luis Suarez nuk ka dyshime: “Rrini të qetë, do ta luaj botërorin!” Është ky mesazhi i sulmuesit për fansat e tij dhe të Uruguajit, citon Supersport.
Ajo e tija do të jetë një luftë kundër kohës për të qenë në Brazil. Sulmuesi u operua në menisk, në mëngjesin e së enjtes.
Pas lajmit të shpërndarë nga mediat uruguaiane dhe të konfirmuar nga vëllai i Suarez, erdhi dhe zyrtarizimi i Federatës së Futbollit të Uruguajit.
“Gjatë stërvitjes së djeshme lojtari ndjeu një dhimbje të fortë në gjurin e majtë, lexohet në komunikatë, ndaj ju nënshtrua një rezonanze manjetike që konfirmoi dëmtimin e pjesëshëm të meniskut të jashtëm.
Këtë mëngjes u operua në atroskopi dhe nuk u evidentuan dëmtime të tjera në gjurin e tij”. Federata uruguaiane tregohet shumë e kujdesshme në lidhje me rikuperimin dhe shkruan: “Prezenca e tij në botëror nuk përjashtohet”.
Ndërsa nga mediat amerikano-jugore përcillet optimizëm, sipas tyre objektivi i Tabarez dhe i stafit të tij është që ta kenë lojtarin në dispozicion që në debutimin ndaj Kosta Rikës, për ta hedhur pastaj në fushë në 100% të formës, në ndeshjet e tjera të grupit ndaj Anglisë dhe Italisë.
Ishte vetë Suarez që deshi të sigurojë tifozët duke u shprehur: “Ju faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Rrini të qetë se do të luaj, do të punoj shumë për të qenë në 100% dhe për të ndihmuar shokët”.
Dëmtimi në menisk i golaedorit të Celeste, risjell ndër mend një episod analog e sensacional.
Në SHBA, në 94, Franko Baresi u dëmtua në menisk në fazën e grupeve dhe me një rikuperim rrufe ja doli të luante finalen e humbur ndaj Brazilit, ku luajti 120 minuta dhe humbi një penallti në llotarinë e 11 metërshave.
Suarez ka pothuajse 20 ditë për tu rikuperuar pas operacionit. Te Liverpuli Suarezi fitoi titullin e kryegolashënuesit të Premier League me 31 finalizime në 33 ndeshje. Një makinë golash!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





