
Tiranë, 22 maj 2014, NOA.al- Është konkretizuar ditën e sotme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, në kuadër të shkëmbimit mjekësor të dy vendeve, me synim përmirësimin e kujdesit shëndetësor të popullatës.
Falë bashkëpunimit të suksesshëm midis QSU Tiranë dhe QKU Kosovë, u realizuan sot 2 ndërhyrjet e para kardiokirurgjikale.
"Faleminderit Dr. Ali Rifatllari & Dr. Bekim Dula për 2 ndërhyrje të suksesshme të kirurgjisë së zemrës sot në Prishtinë. Urojmë shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjeve 2 shqiptarëve të Kosovës, që u operuan sot nga ekipi QSUT/QKUK", u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Gjatë muajve të fundit, bashkëpunimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës është intensifikuar ndjeshëm, që pas takimit të përbashkët të dy Qeverive të mbajtur kohë më parë në Prizren.
Në fushën e shëndetësisë, u nënshkrua më herët një marrëveshje e gjerë bashkëpunimi, me prioritet organizimin e sistemeve shëndetësore kombëtare dy vendeve tona.
Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dr. Astrit Beci, do të marrë pjesë në Kongresin e II të Farmaceutikës, i cili zhvillohet në Prishtinë, në datat 23-24 maj, me pjesëmarrje ndërkombëtare, ku do të shkëmbehen eksperiencat për funksionimin e sistemit farmaceutik në vendet tona. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





