Transmetuar më 21-05-2014, 19:26

Juanfran ndez finalen e kampionëve. Mbrojtësi i Atletico Madrid shpreh mirënjohjen për Realin ku kaloi disa kohë si lojtar profesionist, por shton se është krenar që mban të veshur fanellën e “Los Colchoneros”, citon Supersport.

Mbrojtësi u rrit në radhët e ekipeve zinxhir të “Los Blancos” dhe ka luajtur 6 ndeshje për ekipin e parë.

Më pas ai u transferua te Osasuna dhe Espanyol për të siguruar kontratën e jetës sërish në Madrid, por këtë herë në pjesën tjetër të qytetit.

“I jam shumë mirënjohës Realit për vitet që kam kaluar te ajo skuadër. Më kanë trajtuar shumë mirë, por tani jam lojtar i Atleticos, dhe aktualisht po vesh fanellën më të bukur në botë.

Sigurisht që ndeshjet kundër Realit kanë një shije të ndryshme, por unë do të mendoj vetëm për fitoren e Atleticos duke hedhur pas krahëve të shkuarën”.

Atletico udhëton drejt finales si kampione e Spanjës, një titull që e fitoi pas 18 viteve mungesë, por Juanfran nuk dëshiron që ky sezon të mbyllet vetëm me një titull, pasi “Los Colchoneros” kanë në dorë një mundësi unikale për t’u shpallur mbretër të Europës pasi një gjë të tillë nuk arritën ta bënin në vitin 1974 kur u mundën në finale nga Bayern Munich.

“Do të ishte një arritje e pabesueshme për mua dhe familjen time. Ata janë krenarë për mua dhe unë pa ta nuk do të kisha bërë një rrugë kaq të gjatë”.

Juanfran u transferua te Atletico Madrid në vitin 2011 dhe që prej atij sezoni, ai është kthyer në një nga pikat kyçe të mbrojtës së ekipit madrilen.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit