Transmetuar më 21-05-2014, 18:53

Edhe pse që nga sezoni i ardhshëm Louis Van Gaal do të jetë trajneri i ri i Manchester United, vëmendja e 62-vjeçarit momentalisht është te skuadra përfaqësuese, pasi ai dëshiron që portokallinjtë të bëjnë një paraqitje sa më të mirë në Kupën e Botës.

Holanda ka filluar që tani përgatitjet për kompeticionin madhor që do të startojë 12 qershorin e ardhshëm.

Pas miqësores me Ekuadorin, të luajtur në Amsterdam fundjavën e kaluar ku tulipanët nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1, ata janë zhvendosur në Portugali në krahinën e Algarve ku janë duke zhvilluar seance stërvitore të njëpasnjëshme në mënyrë që futbollistët të ambientohen sa më mirë me njëri-tjetrin.

Van Gaal momentalisht ka me vete 30 futbollistë dhe para datës 1 qershor ai do të vendosë për 23 emrat që do të grumbullojë për në Kupën e Botës.

Përpara se të zhvendoset në Brazil, Holanda do të zhvillojë dhe dy ndeshje të tjera miqësore, një me Ganën në 31 Maj dhe një tjetër me Uellsin në 4 qershor.

Me afrikanët, portokallinjtë do të luajnë në Rotterdam, ndërsa me britanikët në Amsterdam.

Holanda do ta nisë Botërorin në datën 13 qershor ku në stadiumin Arena Fonte Nova të Salvadorit do të rivihet në skenë finalja e Botërorit të fundit, pasi portokallintë do të kenë përballë kampionët e Botës në fuqi Spanjën.

Përveç Holandës dhe Spanjës, në grupin B, bëjnë pjesë edhe Kili e Australia.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit