
Tiranë, 21 maj 2014, NOA.al- Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri priti në takim Ministren për Trafikun e Qenieve Njerëzore dhe Krimin e Organizuar në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Karen Bradley.
Gjatë bisedës palët shprehën domosdoshmërinë për një bashkëveprim të ngushtë dhe shkëmbim në kohë të informacionit mes 2 policive, veçanërisht në luftën kundër trafikut të qënieve njerzore.
Ministri Tahiri i konfirmoi ministres britanike angazhimin e qeverisë së re, për luftën pa kompromis ndaj paligjshmërisë në vend.
Kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme i bëri të ditur gjithashtu delegacionit të nivelit të lartë nga Britania e Madhe, nismat për ndryshimet e kuadrit ligjor në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në përfundimin e procesit të hartimit të një Ligji të ri për Policinë e Shtetit, që parashikon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ministrja britanike Bradley u shpeh e gatshme të ofrojë asistencë dhe ekspertizën e kualifikuar për Byronë Kombëtare të Hetimit, një organizëm që do të hetojë krimet e rënda dhe korrupsionin në nivele të larta.
Në takim, ku mori pjesë dhe zv/ministrja Elona Gjebrea, njëkohësisht Koordinatore Kombëtare për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, u shpreh angazhimi, për të shfrytëzuar çdo mundësi që rrit përpjekjet e përbashkëta të 2 vendeve, në luftën kundër trafikut dhe krimit të organizuar./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





