Transmetuar më 21-05-2014, 12:17

Korçë, 21 maj 2014, NOA.al- Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar dy policë, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Mbrëmjen e djeshme nga ana e sektorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Korçë, është bërë arrestimi në flagrancë, ndaj punonjësve të policisë inspektor Rexhep Lushka, 46 vjeç, me detyrë trup shërbimi në Pikën e Kalimit Kufitar në Kapshticë dhe inspektor Trifon Ocka, 45 vjeç, me detyrë kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.

Krahas tyre u ndalua edhe 46 vjeçari Mondi Agolli, lindur dhe banues në fshatin Cangonj të Devollit.

Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi dy mujor me metoda speciale të hetimit, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Ushtrimit i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të kryera në bashkëpunim.

Punonjësit e policisë Trifon Ocka dhe Rexhep Lushka në bashkëpunim me Mondi Agollin në mënyrë të kundraligjshme kanë kaluar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në drejtim të territorit grek shtetasin me inicialet R. Z.

Kalimi i tij është kryer pa u rregjistruar në sistemin TIMS, në kundërshtim me Ligjin e Policisë Kufitare dhe procedurave standarde kundrejt shpërblimit në vlera monetare. Në ngarkim të tyre materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit