Transmetuar më 21-05-2014, 11:46

Tiranë, 21 maj 2014, NOA.al- Tetë shqiptarë  të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda si pjesëmarrje në organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni, trafik droge, vrasje në rrethana rënduese etj., u ekstraduan nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane, nga Shqipëria drejt Italisë.

Arrestimi i të ekstraduarve Arlind Allasufi, Mikelo Kararaj, Ardian Allkanjari, Dorjan Doçi, Rigers Hysa, Eugen Caushi, Eder Dorzi dhe Gëzim Gjini është kryer gjatë operacioneve të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit në muajt janar-shkurt 2014.

Me një avion të posaçëm të autoriteteve italiane, rreth orës 11:00, u krye ekstradimi drejt Italisë, i të shpallurve në kërkim:

– Gëzim Xhemal Gjini, 57 vjeç, banues në Luz/Krujë. Gjykata e Udines, Itali, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhërin e arrestit të datës 07.09.2012, për “Shfrytëzim prostitucioni dhe emigracion klandestin”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 110, 61, Ligji 785/58 dhe 39/90. Maksimumi i dënimit: 5 vjet 2 muaj burg. Ky shtetas është arrestuar nga strukturat e policisë në Durrës më datë 07.01.2014.

-Eugen Enver Caushi, 29 vjeç, nga Fieri. Gjykata e Milanos, ka lëshuar ndaj shtetasit Eugen Caushi urdhrin e arrestit datë 27.01.2014, për veprën penale të “Organizatë kriminale, ndihmë dhe nxitje për prostitucion”, parashikuar nga neni 416 i Kodit Penal dhe nenet 3 dhe 4 të Ligjit 75/58. Maksimumi i dënimit: 17 vjet burg. Ky shtetas është arrestuar më datë 04.02.2014, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

– Eder Avdulla Dorzi, 31 vjeç, nga Tirana. Gjykata e Milanos, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhrin e arrestit datë 27.01.2014, për veprën penale të “Organizatë kriminale, ndihmë dhe nxitje për prostitucion”, parashikuar nga neni 416 i Kodit Penal dhe nenet 3 dhe 4 të Ligjit 75/58. Maksimumi i dënimit: 17 vjet burg. Ky shtetas është arrestuar nga strukturat e policisë në Tiranë më datë 03.02.2014.

-Rigers (Daniel) Qemal Hysa, 40 vjeç, nga Burreli. Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Romës, ka lëshuar urdhrin e arrestit datë 12.06.2013, për kryerjen e veprës penale të “Organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga nenet 146, 1-2 të Kodit Penal Italian dhe nenet 3 të Ligjit 75, datë 20.02.1958, dhe110. Maksimumi i dënimit: 21 vjet burg. Ky shtetas është arrestuar më datë 11.01.2014, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

– Dorjan Shefqet Doçi, 40 vjeç, nga Tirana. Gjykata e Apelit Milano, me vendim datë 16.11.2010, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet 6 muaj burg, për kryerjen e veprës penale të “Organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge”, parashikuar Kodi Penal Italian. Ky shtetas është arrestuar më datë 30.01.2014, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

-Ardian (Adrian) Thoma Allkanjari, 43 vjeç, banues në fshatin Gradishtë, Lushnje. Ndaj këtij shtetasi është lëshuar Urdhëri i ekzekutimit nga Zyra e Prokurorit të Milanos, (në vijim të vendimit të Gjykatës së Apelit Milano, datë 18.12.2007, definitiv më datë 07.05.2008), për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana rënduese, armëmbajtje pa leje“, dënuar me 9 vjet 11 muaj  burg, bazuar në nenet 575, 577 të Kodit Penal Italian dhe nenin 4 të Ligjit 110/75. Ky shtetas është arrestuar më datë 12.02.2014, nga Komisariati i Policisë Lushnjë.

– Mikelo Agim Kararaj, i regjistruar me gjeneralitetet e Daniel Lika, 28 vjeç, nga Patosi, Fier. Gjykata e Milanos, ka lëshuar ndaj shtetasit Mikelo Kararaj, Urdhrin e Arrestit datë 27.01.2014, për veprën penale të “Organizatë kriminale, ndihmë dhe nxitje prostitucioni, trafik droge”, vepra penale të parashikuara nga neni 416 i Kodit Penal Italian, dhe nenet 3 dhe 4, të Ligjit 75/58, nenet 73 dhe 80 të Ligjit  309/90, neni 56 i  Kodit Penal Italian. Maksimumi i dënimit: 30 vjet burg. Ky shtetas është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier më datë 03.02.2014.

-Arlind Nuredin Allasufi, 32 vjeç, banues në Kavajë. Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës në Padova, ka lëshuar më datë 21.11.2007, urdhër–burgimin, nr. 1213/ 2007 RES, pasi duhet të shlyejë dënimin prej 16 vjet e 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes”. Ky shtetas është arrestuar më datë 17.02.2014, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë./a.y/noa.al/

Të ekstraduarit

 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit