Transmetuar më 21-05-2014, 10:27

Sarandë, 21 maj 2014, NOA.al- Një operacion i policisë së Sarandës ka bërë të mundur kapjen e shtatë emigrantëve ilegalë.

Nën akuzën për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve” u arrestuan edhe dy personat që i shoqëronin, Petrit Goxhaj, 36 vjeç, banues në fshatin Fitore të Vlorës dhe Arsen Hoxha 35 vjeç, banues në Cakran të Fierit.

Të sipërpërmendurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kapur duke transportuar me automjetet tip Alfa Romeo me targa AA 480 GS dhe me automjetin tip Mercedes-Benz me targa AA798 GJ, shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilët dyshohen të kenë hyrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër në zonën e Gjirokastrës dhe se kishin si destinacion Malin e Zi dhe më tej vendet e Bashkimit Europian.

Gjatë operacionit për kapjen e tyre fillimisht në zonën e Qafë-Gjashtë, Goxhaj dhe Hoxha nuk i janë bindur punonjësve të policisë duke u larguar dhe falë ndjekjes së menjëhershme nga forcat e policisë kufitare dhe policisë së rendit është bërë e mundur brenda pak minutash ndjekje që të kapen në zonën e Porto Palermo.

Gjithashtu nga hetimet e kryera ka rezultuar se emigrantët ishin nga Somalia dhe Eritrea dhe se do tu pagonin dy transportuesve shumën prej 350 euro secili.

Në ngarkim të të ndaluarve materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve e kryer në bashkëpunim”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit