Transmetuar më 21-05-2014, 08:59

Tiranë, 21 maj 2014, NOA.al- Katër të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Porosia” mësohet se kanë qenë ushtarakë.

Të ndaluarit nga efektivët e komisariatit të policisë nr.2 në kryeqytet, dyshohet se kanë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, në tregtinë e lëndëve plasëse.

Të arrestuarit 36-vjeçari Ilir Dhimo, 46-vjeçari Pëllumb Daci, nga Kruja dhe 27-vjeçari Emild Taku dhe 40-vjeçarin Artur Çelo, nga Tirana, kanë rënë në pranga pas hetimeve që vijonin për një plagosje.

Dhimo cilësohet si “koka” e grupit, i cili mendohet se është edhe personi që siguronte eksplozivët dhe municionet. Ndërsa tre personat e tjerë të arrestuar ishin sekserët për gjetjen e klientëve të interesuar për blerjen e tritolit, i cili dyshohet të jetë përdorur në disa shpërthime në Fushë Krujë dhe Tiranë.

Gjithçka është zbuluar në sajë të përgjimeve të grupit, pasi dy prej anëtarëve të grupit kanë qenë në hetim, të dyshuar për një plagosje.

Gjatë përgjimit të telefonatave është vënë re se ky grup ishte në gjendje që të siguronte sasi të mëdha eksplozivi dhe më pas t’ua shisnin grupeve kriminale, pasi nuk ishin në gjendje që t’i montonin vetë.

Mësohet se kundrejt shitjes së një kilogrami C4, anëtarët e grupit fitonin shuma të mëdha parash, deri në 1000 euro për kilogramë.

Mbrëmjen e së hënës, në rrugën “Sadik Petrela”, Ilir Dhimo ishte me një motor papaq, shoku i tij, Pëllumb Daci me një automjet tip "Audi", Aurel Çelo ka qenë me një biçikletë në pritje të blerësve me 10 kg C4 me vete, të cilën e kishin bërë gati për shitje, ndërsa i arrestuari i katërt, Emild Taku ka qenë pak më tutje shokëve të tij për të parë se mos vinin forcat e policisë. Por, personi që do të vinte për të blerë sasinë e lëndës eksplozive nuk ka qenë tjetër, veçse një i infiltruar nga policia.

“Porosia”, Çipa jep detajet: U kap sasia më e madhe e eksplozivit

Drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa, ka dhënë detaje lidhur me operacionin e policisë së kryeqytetit ku u kap një sasi e madhe eksplozivi.

Çipa bëri me dije se Policia e Tiranës ka bërë të mundur kapjen e sasisë më të madhe të eksplozivit  C4 që është arritur të kapet ndonjëherë në vendin tonë, falë një pune operative të mirëorganizuar dhe një hetimi profesional të shtrirë në një hapësirë kohore prej disa muajsh, ku u arrit të organizohej dhe finalizohej operacioni i koduar “Porosia”.

Ai bëri me dije se si rezultat i këtij operacioni u arrit sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme lënde eksplozive si dhe arrestimi në flagrancë i katër personave, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Operacioni është finalizuar në rrugën “Sadik Petrela”, në Tiranë në momentin e shit-blerjes së lëndës eksplozive nga ana e pjesëtarëve të dyshuar të grupit kriminal.

Të arrestuarit gjatë këtij operacioni janë Ilir Dhimo, 36 vjeç me banim në Krujë, Pëllumb Daci, 46 vjeç me banim në Krujë, Emild Taku, 27 vjeç me banim në Tiranë dhe Artur Çelo 40 vjeç me banim në Tiranë.

Të sipërpërmendurit u kapën në kushtet e flagrancës gjatë momentit të  shitjes së sasisë eksplozive C4 dhe gjatë ndërhyrjes policore kanë tentuar të largohen për t`ju shmangur arrestimit.

Gjatë kontrollit në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Eksploziv plastik C4 96  kg; Fitil detonator 37 kg;  Ndezësa të minave 3744 copë; Kapsolla detonatore 2927 copë; Kapsolla detonatore elektronike 387 copë; Kapsolla elektronike detonatore me trup bakri 101 copë;  Kuti plastike 521 copë; Një sasi e konsiderueshme kapsolla detonatore të ndryshme; 200 metër linear fitil zjarr përcjellës; 2 tamburo; 2 tufa përcjellësi elektrik, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh për armë si mitraloz, automatik model 56 si dhe pistoleta model  TT.

Aktualisht vijon hetimi për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal si dhe dokumentimin e veprimtarisë së paligjshme të kryer nga të ndaluarit por edhe bashkëpunëtorë të mundshëm të tyre./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit