Transmetuar më 20-05-2014, 19:19

Manchester United vetëkandidohet në rolin e njërës prej skuadrave protaganiste në merkaton e ardhshme, citon Supersport.

Me zyrtarizimin e holandezit Louis Van Gaal në stol, drejtuesit e Red Devils po mendojnë që tani seriozisht për merkaton e verës, që të përforcojnë sa më shumë ekipin dhe për t’u rikthyer te sukseset pas një sezoni totalisht të dështuar.

Sipas shtypit britanik, familja Glazers i ka vënë në dispozicion klubit një buxhet që kap shifrën e 250 milionë Eurove, vetëm e vetëm, që Manchester United të ndërtojë një skuadër që të jetë pretendente për titullin e Premier League.

Sipas “Daily Mail”, Van Gaal i ka bërë të ditur që tani emrat e futbollistëve që kërkon të ketë në ekip sezonin e ardhshëm.

Dy emrat kryesorë në listën e holandezit janë Arjen Robben e Cesc Fabregas, edhe pse Van Gaal dëshiron të ketë në ekip edhe Tony Kroos e Matt Hummels.

Nga këta katër futbollistë, ai që ndodhet më pranë United është mesfushori i Barcelonës Cesc Fabregas.

Ish futbollisti i Arsenalit po kalon një moment aspak të mirë te klubi blaugrana dhe është mëse i gatshëm për një aventurë të re.

Megjithatë, edhe pse Fabregas dëshiron të rikthehet në ishull ku me fanellën e Arsenalit u bë i njohur si futbollist, Manchester United për të nënshkruar me të duhet t’i paguajë Barcelonës shumën e 53 milionë Eurove, pasi është ky çmimi që klubi blaugrana kërkon për ta lënë të lirë 27-vjeçarin.

Përsa i përket Arjen Robben, Van Gaal do të përpiqet ta bindë atë gjatë Kupës së Botës për t’u transferuar në “Oll Traford” edhe pse për të firmosur me holandezin, United do ta ketë shumë të vështirë për të mos thënë të pamundur, pasi Bayerni nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e Robben.

E ndryshme është situata e Tony Kross, pasi mesfushori gjerman nuk ka firmosur ende një kontratë të re me bavarezët, dhe duke ditur faktin që marrëveshja e tij aktuale me Bayernin skadon në verën e vitit 2015, drejtuesit e klubit gjerman për një ofertë të majme ekonomike mund ta lënë atë të largohet, pasi nuk dëshirojnë ta humbasin një vit më pas me parametër zero.

Por pas largimit të Vidic, Van Gaal do të ketë nevojë edhe për një qëndërmbrojtës të fortë për të zëvendësuar serbin, dhe duke e parë në këtë aspekt, Mats Hummels do të ishte njeriu ideal për të udhëhequr prapavijën e “djajve të kuq”.

Hummels është një nga shtyllat e Dortmundit megjithatë, një ofertë e mirë ekonomike nga Red Devils mund t’i bindë drejtuesit e klubit verdhezi për ta lënë të lirë qendërmbrojtësin e përfaqësueses gjermane”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit