Transmetuar më 20-05-2014, 18:46

Tiranë, 20 maj 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, ku u diskutua për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Kryedemokrati e njohu presidentin austriak me mbështetjen e pakushtëzuar dhe me lobimin që Partia Demokratike, po i bën integrimit europian të vendit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat.

“Ne realizuam shumë reforma dhe jemi krenarë për punën e bërë gjatë qeverisjes. Edhe sot në opozitë, Partia Demokratike popunon me mundësitë e saj, me partitë aleate europiane që Shqipëria ta marrë në qershor statusin e vendit kandidat. Rruga e integrimit, është po aq e rëndësishme sa rezultatet, por për fat të keq qeveria po krijon shqetësime serioze duke e vënë demokracinë dhe institucionet në sfida ekzistenciale. Si opozitë e kemi për detyrë të mos heshtim, dhe të qëndrojmë, në rastet kur qeveria cenon institucionet e pavarura, kur merr kompetencat e Presidentit, kur nuk zbaton vendimin e gjykatave, kur shkarkon mijëra profesionistë të administratës duke shkelur në mënyrë të njëanshme një ligj të miratuar me konsensus, kur rendi është në pikë kritike dhe kur trafiku i drogës po cenon sigurinë tonë dhe të vendeve të BE-së”, u shpreh Basha.

Ai tha se kërkoi edhe njëherë Presidentit Fischer, mbështetjen e Austrisë në mbledhjen e qershorit kur do të vendoset për statusin, dhe gjithashtu i kërkoi që Vjena zyrtare të nxisë dhe vende të tjera të BE-së, ku ajo ka ndikim, që Shqipëria ta marrë një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit