


Në Brazil po presin me padurim startin e Kupës së Botës, ku sytë në vendin karioka do të jenë të drejtuar nga sulmuesi i Barcelonës Neymar.
22-vjeçari do të veshë fanellën me numër 10, siç kanë bërë në të kaluarën lojtarë të mëdhenj si, Ziko, Ronaldinjo, Kaka apo i madhi Pele.
Neymar është gati ta mbajë mbi shpatulla këtë barrë të rëndë, për të përmbushur pritshmëritë e një kombi të tërë që është i dashuruar me futbollin, por ai kurrsesi nuk pranon të krahasohet me legjendën Pele, të cilin e quan mbret të futbollit.
Të dy janë rritur si futbollistë te Santosi, por ka një ndryshim thelbësor mes tyre. Pele e ka fituar 3 herë Kupën e Botës, ndërsa Neymar merr pjesë për herë të parë në këtë event madhor të futbollit.
“Për mua është nder i madh që krahasohem me një futbollist të jashtëzakonshëm si Pele. Por ai është mbreti i I futbollit, kurse unë jam thjesht një djalosh që dëshiron të luajë futboll”.
Pavarësisht moshës së re, Neymar, këmbëngul se është gati ta përballojë presionin, për ta udhëhequr Brazilinin drejt triumfit të 6-të, në Kupën e Botës.
"Ne e ndiejmë presionin në gjithçka bëjmë. Ne jetën e një sportisti kjo është normale, por pressioni është më i madh atëherë kur t’i duhet të jesh shembull për shumë njerëz.
E kam ndier presionin që kur vendosa të bëhesha futbollist, por të luash në Kupen e Botës duke mbrojtur ngjyrat e kombit tënd është kënaqësi e veçantë. Futbolli është në shpirtin e brazilianëve.”
Në Kupën e Konfederatave të para një viti, që u fitua pikërisht nga Brazili, Neymar u shpall lojtari më i mirë i turneut, pasi ishte vendimtar me golat e tij në suksesin e formacionit te Luis Felipe Scolarit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





