
Tiranë, 20 maj 2014, NOA.al- Kreu i opozitës, Lulzim Basha, pas mbledhjes me koalicionin opozitar dhe me gjithë partitë aleate për të ndarë me ta axhendën e aksionit politik kundër aksionit të drogës, tha se kanë diskutuar për institucionalizimin e një aleance kombëtare kundër drogës.
“Do të dalim në një aksion kundër drogës, i cili do të intensifikohet ditën e premte para selisë së Kryeministrit, personit që ka lidhjen mënyrë të drejtpërdrejtë me trafikun e drogës”, tha Basha.
Sipas tij, sasia e drogës që po kapet çdo ditë nga policia e vendeve fqinje është duke u rritur. Ai shtoi se Kryeministri Rama po vazhdon të shërbejë si mburojë dhe mbështetje për krimin duke mohuar dhe përgënjeshtruar që nga momenti kur opozita denoncoi trafikun e drogës.
“Rama shpenzon kohë duke nxjerrë vrer dhe mllef kundër opozitës, në vend që të organizohet kundër krimit. Gjej rastin tu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë t’i bashkohen aleancës kombëtare kundër drogës dhe t’i thonë “Jo” trafikut, duke vënë përgjegjësin përpara përgjegjësisë”, përfundoi Basha. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





