Transmetuar më 20-05-2014, 12:37

Tiranë, 20maj 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani është takuar sot me homologun e tij Austriak, Heinz Fischer. Në një dalje për mediat ai tha se Austria është sot avokate e interesave tona strategjike.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Austrisë janë të shkëlqyera dhe datojnë herët. Austria është sot avokate e interesave tona strategjike. Austria ka ndihmuar dhe investuar  shumë në Shqipëri. Ajo ngelet mbështetëse e shqiptarëve në krijimin e demokracisë. Synojmë të rrisim mbështetjen e bashkëpunimin politik dhe dialogun në të gjitha nivelet dhe veçanërisht në atë të nivelit të lartë”, tha Nishani.

Ai shtoi se Austria është një nga tre investitorët më të mëdhenj në Shqipëri. “Shoqërimi me një grup të fuqishëm biznesi është shprehje besimi e interesit në rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve. Projektet e rëndësishme si TAP dhe ai Adriatiko-Jonian ofrojnë mundësi të shumta edhe për partnerët Austriak. E sigurova homologun se biznesi austriak do të gjej një ambient miqësor dhe se qeveria do të ofrojë gjithçka sipas standardeve të BE” u shpreh Presidenti Nishani.

Ai bëri të ditur se të dy ndanë mendimin se Shqipëria dhe shqiptarët po luajnë një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe krijimi të një imazhi të ri në rajon dhe se kësaj klime i shërbejnë dhe bisedimet e normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Sa i takon gjendjes mes Rusisë dhe Ukrainës, Nishani u shpreh se e vetmja që do të njohë Shqipëria, do të jenë zgjedhjet e Ukrainës me 25 maj.

Ndërkohë që Presidenti Austriak, Fischer u shpreh se bashkëpunimi në fushën ekonomike mes vendit tonë dhe Austrisë duhet të zhvillohet dhe forcohet edhe më tej. “Kjo është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet tona të përbashkëta për vendosjen e shtetit ligjor, për luftën kundër korrupsionit, për vendosjen e standardeve Europiane. Ne jemi të bindur që Austria do të mbështesë marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë dhe gjithçka do të ecë në rrugë të mbarë. Shqipëria luan një rol stabiliteti në rajon dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe vendet e tjera që janë në rrugën e integrimit”, tha Fischer. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit