
Tiranë, 20 maj 2014, NOA.al- Gjatë konferencës “Nato, 20vjet partneritet për Sigurinë Euroatlantike”, Ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu, vlerësoi rolin e Shqipërisë si aleate e NATO dhe misionet e saj në Iran e Afganistan. Njëkohësisht ai shtoi se territori i vendeve të NATO-s është i paprekshëm dhe se aleanca është e përkushtuar ta mbrojë atë.
“Rruga që ndoqi Shqipëria për në NATO ishte e gjatë por ndodhi për shkak të dëshirës për ta çuar përpara këtë kauzë, pavarësisht përplasjeve të herë pas hershme politike. Kjo aftësi për të vendosur përpara nevojat e vendit vazhdon edhe sot si 5 vite më parë. Gjatë këtyre 5 viteve Shqipëria ka dëshmuar denjësinë e saj si aleate e NATO-s, veçanërisht nëpërmjet ushtarëve të çuar në Irak e Afganistan”, u shpreh Arvizu.
Ai kërkoi më shumë punë për të luftuar krimbnin e korrupsionin si dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Sipas tij, palët duhet të punojnë fort në Shqipëri për të sjellë stabilitet afatgjatë për të ardhmen e vendit.
Arvizu foli më tej dhe për gjendjen e Ukrainës dhe situatën e tensionuar atje.
“Gjallëria dhe vlera e Aleancës sonë po theksohet sot, kur jemi duke diskutuar dhe gjykuar mbi veprimet e paligjshme të Rusisë në Ukrainë. Situata në Ukrainë është ekstremisht shqetësuese dhe ne shpresojmë që Ukraina të marrë vendimin për të ardhmen e saj sa më shpejtë. Zgjedhjet e 25 majit në Ukrainë janë një mundësi që ukrainasit ta zgjedhin vetë të ardhme e tyre, jo nëpërmjet pushkës”, u shpreh Arvizu. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





