
Tiranë, 19 maj 2014, NOA.al- Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Voltana Ademi, ka denoncuar ekzistencën e drogës shqiptare kudo në Europë, ndërkohë që sipas kësaj partie, qeveria është duke sulmuar opozitën.
“691 kilogramë drogë u kap sot në Selanik, që shkonte nga Shqipëria. Media italiane shkruan për 575 kilogramë drogë shqiptare të kapur në Bolzano. Media gjermane flet për 5.6 tonë drogë shqiptare të kapur në rajonin e Bavarisë. Lajme çdo ditë tronditëse, dhe teksa qeveria organizon konkurse për brandin e ri për Shqipërinë, në fakt qeveria po e damkos vendin tonë me një brandim tejet të rëndë, me vulën e drogës”, denoncoi Ademi
Ajo shtoi se qeveria, duke u vetëdenoncuar çdo ditë si pjesë e kartelit të drogës, nuk merr asnjë masë, nuk jep asnjë shpjegim, nuk mban asnjë përgjegjësi.
Sipas deputetes Ademi, e vetmja gjë që bën qeveria në këto ditë të vështira për Shqipërinë e damkosur nga droga, është sulmi ndaj opozitës.
“Çdo ditë kapen qindra e mijëra kilogramë drogë shqiptare në vendet e Bashkimit Europian, dhe çdo ditë qeveria shqiptare sulmon opozitën. Kjo vetëm sa e rëndon më shumë pozitën e Kryeministrit. Sulmet ndaj opozitës janë përpëlitje instiktive të një kryeministri në krizë”, tha Ademi
Sipas saj, zgjidhja e vetme e krizës së madhe të drogës, është largimi i Kryeministrit një orë e më parë./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





