Transmetuar më 19-05-2014, 11:25

Tiranë, 19 maj 2014, NOA.al- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në vijim të punës për rakordimin e subjekteve deklarues në të gjitha institucionet publike, në nivel qendror dhe lokal në vend ka gjobitur 17 zyrtarë.

Pas përfundimit të procesit të administrimit të deklaratave të interesave private, pas regjistrimit të tyre, si dhe pas verifikimeve në institucionet përkatëse ku këto subjekte ushtrojnë funksionet e tyre publike, u konstatuan 17 zyrtarë të niveleve të ndryshme të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private “Para Fillimit në Detyrë” dhe  “Periodike/Vjetore” për vitin 2014.

Në zbatim të nenit 40, pika 1/a të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, sipas të cilit “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 lekë deri në 100.000 lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, përmes vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet deklarues që rezultuan të mos kenë dorëzuar deklaratën e interesave private.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.

Në zbatim të politikave korrekte institucionale, Inspektorati i Lartë u bën me dije subjekteve deklarues, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, pas marrjes së masës administrative, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen e çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës.

Zyrtarët e gjobitur janë Gjergj Bakallbashi, drejtor në Bashkinë e Tiranës; Fatmir Neza, drejtor varësie në Bashkinë e Tiranës; Dodë Mehmetaj, drejtor rajona, Shërbimi Kombëtar i Punësimit; Albert Kasi, drejtor në Ministrinë e Kulturës; Leonard Kastrati, ndihmës i Presidentit; Artan Murati, drejtor rajonal në Dibër pranë Ministrisë së Shëndetësisë; Armando Mamani, drejtor i spitalit Gjirokastër; Remzi Haxhiu, drejtor i spitalit Vlorë; Etjen Xhafaj, drejtor kabineti (Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes); Jolanda Vasili, doganiere pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave; Roni Shqopa, drejtor i shtëpisë së pushimit pranë Ministrisë së Brendshme; Silvana Maksuti, kryeinspektor në Durrës, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Ylli Kupi, kryetari i komunës Petrelë në Tiranë; Xhevahir Bilia, kryetar i komunës Cudhi në Tiranë; Hakik Gjokola, kryetar i komunës Lurë në Dibër; Arben Ndoi doganier, pranë Drejtotisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ermal Topalli drejtor, pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit