Transmetuar më 18-05-2014, 12:11

Durrës, 18 maj 2014, NOA.al- Ndaj kapitenit të anijes tregtare “Era-1”, Volodomir Demakov, e cila u bllokua nga autoritetet e portit të Durrësit me 48 tonë cigare kontrabandë, është lëshuar urdhër aresti.

Ndërsa ukrainasi Demakov u arrestua, ndaj gjashtë pjesëtarëve të ekuipazhit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Lidhur me këtë ngjarje vetë Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali inspektoi Portin e Durrësit.

Ajo tha se vlera e cigareve kontrabandë kap shifrën 10 milionë dollarë. “U sekuestruan 48 tonë cigare kontrabandë me vlerë 10 milionë dollarë me destinacion tregun shqiptar. Ky ishte një operacion i Doganës dhe Antikontrabandës. Askush nuk e blen doganën me para”, deklaroi Spiropali.

Kujtojmë se cigaret e bllokuara natën e së premtes duke u gdhirë e shtunë ishin nisur nga porti i Qipros dhe kishin si destinacion Malin e Zi, ndërsa ishin të paketuara në 4487 koli.

Ndërkohë avokati i kontaktuar nga kompania pritëse e mallit, ka deklaruar se malli është me dokumente të rregullta dhe dokumentet origjinale i ka agjenti doganor pritës i mallit./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit