Transmetuar më 17-05-2014, 12:52

Durrës, 17 maj 2014, NOA.al- Një anije tregtare është bllokuar nga autoritetet portuale të Durrësit, për shkak se në të ndodhet një sasi prej 47 tonë cigare kontrabandë. Vetë KryemiNistri i vendit reagoi kundrejt kësaj ngjarje, duke u shprehur se dogana nuk blihet më me para.

“Kush ka veshë dëgjon, kush ka sy shikon, kush ka tru kupton. Kur kapen 48 ton cigare kontrabande do me thënë që dogana nuk blihet dot më para si vjet”, shkruan Rama në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter.

Ndërkaq, vetë Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali ka inspektuar Portin e Durrësit. Ajo tha se vlera e cigareve kontrabandë kap shifrën 10 milionë dollarë. “U sekuestruan 47 ton cigare kontrabandë me vlerë 10 milionë dollarë me destinacion tregun shqiptar. Ky ishte një operacion i Doganës dhe Antikontrabandës. Askush nuk e blen doganën me para”, deklaroi Spiropali.Pas bllokimit të anijes në Doganën e Durrësit ka reaguar edhe avokati i firmës së cigareve. Idlir Tivari shprehet se malli i sekuestruar nuk është me dokumente false.

Sipas tij, dokumentet i ka agjenti në doganën e Malit të Zi, pasi anija është transit.

Anija në të cilën është gjetur sasia e kontrabanduar është “ERA 1”, me flamur të Tanzanisë dhe ekuipazh ukrainas. Ajo kishte kërkuar 3 ditë më parë lejë për t’u strehuar në Portin e Vlorës, deri në qetësimin e detit.

Mesditën e së premtes është larguar pa njoftuar kapitenerinë, duke thyer rregulla ndërkombëtare detare, të cilat detyrojnë anijet të njoftojnë ose të kërkojnë leje nga autoriteti detar i portit pritës për çdo lëvizje.

Pas këtyre veprimeve, janë ngritur dyshime mbi ngarkesën në anije dhe ligjshmërinë e saj.

Mësohet se anija me flamur të Tanzanisë ishte nisur nga Greqia në drejtim të portit të Barit në Malin e Zi. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit