Transmetuar më 16-05-2014, 15:52

Tiranë, 14 maj 2014, NOA.al- Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni të ri hetimor për çështjen e trafikut të drogës në Shqipëri.

Pas mbledhjes së këtij komisioni, deputeti i PD, Eduart Halimi, në një deklaratë për media u shpreh se në kulmin e shqetësimit mbarë qytetar për narkotrafikun, mazhoranca, e tmerruar, kërkon të ndalojë hetimin parlamentar, trasparencën për qytetarët.

“Kjo kërkesë u rrëzua nga mazhoranca, duke refuzuar që të hetohet mbi këtë

fenomen që ka mbërthyer vendin dhe është duke u kthyer në një dukuri jashtëzakonisht shqetësuese për Shqipërinë‎, për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë europiane.

Ne kërkuam që të mos i mohohet qytetarëve e drejta e transparencës ndaj fenomenit të narkotrafikut që ka pushtuar sot tokën, detin dhe ka arritur kulmin e vetë, ka pushtuar ajrin siç u faktua edhe nga ngjarja e rëndë e Divjakës në datën 10 maj”, u shpreh Halimi.

Ai shtoi më tej se mazhoranca këmbëngul edhe sot të hetojë denoncuesit e avionëve të drogës dhe jo trafikun e drogës, duke kërkuar me ngulm të fshehë përgjegjësitë e qeverisë dhe lidhjet e saj me drogën.

Sipas Halimit, ky është një zhvillim tronditës sepse provon shqetësimin opozitar se rrënjët e kartelit të narkotrafikut arrijnë deri tek kryeministri që ka urdhëruar sot refuzimin e trasparences dhe fshehjen e së vërtetës.

“Droga kërcënon sot vendin, kërcënon fqinjët, kërcënon fëmijët tanë dhe të ardhmen tonë. Faktet flasin kundër mazhorancës e cila i ka dalë në krah krimit gjithë këto muaj, dhe do të jetë hetim parlamentar ai që do të bëjë trasparent fenomenin dhe tu tregojë qytetarëve të vërtetën në mënyrë që dhe ata të dinë se çfarë të besojnë”, deklaroi deputeti Halimi.

Në vijim ai deklaroi bindjen se përfaqësojnë interesat e shumicës së qytetarëve që kërkon të shkulë nga rrënjët narkotrafikun në Shqipëri, kërkon të ndërtojë një vend ku karteli i drogës të luftohet dhe jo mbrohet nga qeveria, ndaj do t’i shkojmë deri në fund betejës për të bërë transparent gjithë fenomenin e narkotrafikut dhe lidhjet dhe rrënjët e tij kudo qofshin. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit