
Fier, 16 maj 2014, NOA.al- Një trup i pajetë është gjetur në qendër të qytetit të Fierit, në lagjen "Apollonia". Kufoma është gjetur brenda një makine tip Audi me targa AA758BF, nga roja e parkingut ku automjeti ishte i parkuar, duke lajmëruar menjëherë policinë.
Nga të dhënat paraprake siç raporton Noa.al, viktima është identifikuar si Agron Ymeraj 51 vjeç, i cili merrej me biznes dhe konkretisht me tregtinë e pllakave.
Paraprakisht dyshohet se viktima është vrarë me armë zjarri, për shkak të plagëve të gjetura në trupin e tij.
Në një qëndrim zyrtar të policisë lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Fier, ku është vrarë me armë zjarri Agron Ymeraj, 51 vjeç, thuhet strukturat policore janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e saj
Dyshohet se viktima është qëlluar për shkak të disa konflikteve të mëparshme.
Në datë 10.08.2010 Eni Veshi dhe Lorenc Buzi kanë tentuar të vrasin Juljan Ymeraj, djali i viktimës Agron Ymeraj. Për këtë tentativë vrasje, ata janë dënuar me kusht.
Në datë 31.08.2011 Juljan Ymeraj dhe vëllai i tij dyshohen se kanë vrarë Koli Veshin dhe kanë tentuar të vrasin djalin e tij, Eni Veshi.
Për këtë ngjarje janë arrestuar si autorë të dyshuar Juliani dhe i vëllai, por me vendim nr. 304 datë 30.09.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, janë deklaruar të pafajshëm dhe janë liruar, ndërsa Prokuroria ka kërkuar për secilin prej të dyshuarve nga 25 vjet burg.
Ky vendim është apeluar nga Prokuroria e Rrethit Fier. Janë duke u kryer veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje për të cilën ka të dhëna se si autor i dyshuar i saj është Eni Veshi./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





