Transmetuar më 15-05-2014, 17:19

Pas disa seancave stërvitore në kryeqytet, Kukësi zhvendoset në kompleksin “Tropikal” në Durrës për të vijuar më tej me përgatitjet për finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit, citon Supersport.

Trajneri Starova së bashku me stafin kanë kryer këtë lëvizje për shkak të kushteve që ofron ky kompleks, por në të njëjtën kohë për të ambientuar futbollistët në terrenin me bar natyral, në mënyrë që mos të krijohen probleme gjatë finales.

Gjithashtu kjo lëvizje është bërë edhe për të larguar skuadrën nga vëmendja e tifozëve, pasi kërkohet përqendrim maksimal për ndeshjen e fundit të sezonit, e cila ka në mes një trofe.

Nën urdhrat e trajnerit ka qenë i plotë grupi i futbollistëve, me të cilët janë bashkuar në stërvitje edhe mesfushori Musolli si dhe lojtari i krahut të majtë Hoxha.

Starova ka punuar shumë në aspektin taktik me ekipin, duke i udhëzuar për mënyrën se si duhet të vendosen në fushë dhe të luajnë në finalen ndaj Flamurtarit.

Fatmirësisht për nënkampionët e vendit seanca e parë stërvitore në Tropikal është zhvilluar pa probleme shëndetësore, pavarësisht reshjeve të shiut që herë pas herë ishin me intensitet të lartë.

Në stërvitje futbollistët e Kukësit janë parë shumë të përqendruar për të kuptuar mënyrën e lojës që kërkohet nga trajneri i tyre.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit