Transmetuar më 14-05-2014, 18:12

Konkursi “Çmimet e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës” fton kompanitë e interesuara që të marrin pjesë në këtë event që zhvillohet për herë të parë, i cili synon promovimin e përgjegjësisë sociale të bizneseve.

Një takim u zhvillua sot në Tiranë, për të dhënë detaje mbi nismën dhe për të ftuar të interesuarit që të marrin pjesë deri më 20 maj në këto aplikime.

Të pranishëm në tryezë ishin organizatorë të eventit, zyrtarë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të kompanive të njohura në Shqipëri që kontribuojnë gjerësisht në sferën sociale, si AMC, Vodafone, "Hygeia", nga studio të njohura ligjore, gazetarë, etj.

Në tryezë folën mbi nismën Nisma “Çmimet e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës”, Adam Frantzis, President i Albanian CSR Network, Bashkim Sykja, Drejtor i Mbështetjes së Sipërmarrjes në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Jorina Kadare, drejtuese projekti kombëtar, UNDP Shqipëri, Anisa Kaltanji, koordinatore e CSR, Vodafone Shqipëri.

Të pranishmit vlerësuan se Përgjegjësia Sociale e Korporatës nuk është një ekskluzivitet i korporatave, porse në të mund të përfshihen shumë më tepër biznese. Ata thanë se “nëse jeni një kompani që përkujdeset ndaj punonjësve, minimizon impaktin mjedisor dhe kontribuon kundrejt zhvillimit social dhe ekonomik në komunitet, bëhuni pjesë e konkursit “Çmimet e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës”.

***

Qeveria e Shqipërisë nën udhëheqjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, dhe me mbështetjen e UNDP-së, ka hartuar një Plan Kombëtar Veprimi për promovimin e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës (2011–2014).

Përgjegjësia Sociale e Korporatës është një koncept përgjithësisht i ri mes bizneseve shqiptare.

Për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për promovimin e përgjegjësisë sociale të korporatës, një nga gjashtë dimensionet e këtij plani është ngritja e Çmimeve për PSK-në, duke mundësuar identifikimin e praktikave më të mira në vend.

Ky konkurs i drejtohet kompanive të vogla, të mesme e të mëdha, për t’i ndihmuar ato në rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë në treg.

Çmimet do të jenë të ndara në 3 kategori:

1-            Çmimi për Inovacion

2-            Çmimi për Praktikën më të Mirë për SME-të

3-            Çmimi për Praktikën më të Mirë për Kompanitë e Mëdha

Vlerësimi do të bëhet nga ekspertë në fushën e PSK-së. Juria do të vlerësojë kompanitë mbi integrimin e praktikave të PSK-së në aktivitetet e tyre dhe ndikimin pozitiv tek punonjësit, mjedisi dhe komuniteti.

Ndër themeluesit e CSR Network, janë AMC, Antea Cement, Vodafone Albania, etj.

Më shumë informacion mbi nismën gjeni këtu. Kurse për të aplikuar, mund të klikoni këtu.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit