Transmetuar më 14-05-2014, 15:43

14 maj 2014, NOA.al- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Turqisë, Abdullah Gül në të cilin shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndjenjat e mbështetjes dhe solidaritetit të popullit shqiptar për viktimat e shpërthimit tragjik në minierën e Somas në Turqi.

“Më lejoni, Zoti President që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të ndiera e më të sinqerta për viktimat e shkaktuara, dhe, nëpërmjet Jush, familjeve dhe të afërmve të tyre”, ka shkruar Nishani në letrën e tij.

Ai shprehet se populli shqiptar gjendet pranë popullit turk dhe se beson që populli turk, qeveria dhe të gjitha institucionet do të gjejnë forcën, kurajën e vendosmërinë për kapërcimin e kësaj situate. /a.s/noa.al/

Letra e plotë e Presidentit Nishani

“I nderuar Zoti President,

Unë dhe populli shqiptar po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit që lidhen me fatkeqësinë e rëndë shkaktuar nga shpërthimi në minierën e Somas, ku si pasojë kanë humbur jetën dhe janë plagosur me qindra minatorë!

Më lejoni, Zoti President që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të ndiera e më të sinqerta për viktimat e shkaktuara, dhe, nëpërmjet Jush, familjeve dhe të afërmve të tyre!

Ju lutem pranoni ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar në këto momente kaq të vështira që po kalon vendi juaj! Ne ndodhemi pranë jush dhe besimplotë se populli turk, qeveria dhe të gjitha institucionet do të gjejnë forcën, kurajën e vendosmërinë për kapërcimin e kësaj situate!”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit