
Tiranë, 14 maj 2014, NOA.al- Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Rama se po tenton t’i ikë përgjegjësisë lidhur me trafikun e drogës. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokratik, Arben Ristani u shpreh se shqiptarët nuk harrojnë se ishin Rama dhe Tahiri ata që ndërsyen turma të paguara nga krimi dhe narkotrafikantët kundër policisë së shtetit me gurë dhe hunj. Ai vijoi duke shtuar se ishin ata që bëni sehir kur përgjakja e uniformave blu vazhdonte edhe kur ishin rrëzuar.
“Janë po ata, Edi Rama dhe vegla e tij Saimir Tahiri që shkallmuan policinë e shtetit sapo erdhën në pushtet. Me mendësinë e vitit zero goditën, larguan dhe denigruan mijëra oficerë trima dhe patriotë. Burra dhe gra, të rinj dhe të reja që u përplasën me kurajo dhe fituan mbi krimin dhe që me përkushtimin e tyre ndaj ligjit dhe rendit ja dolën ta fusin Shqipërinë në NATO dhe të heqin vizat për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Ristani.
Sipas tij, janë po ata, Rama dhe Tahiri, që denigruan moralin dhe potencialet e policisë duke rifutur në radhët e saj individë të përjashtuar nga vetë ish ministrat socialistë, për lidhje me krimin dhe me narkotrafikun.
Ai vijoi më tej: “Çfarë do mbjellësh do korrësh. Partia Demokratike dhe opozita e paralajmëruan Ramën se fushata e egër e zhbërjes së Policisë së Shtetit do të vijë me një me një faturë të rëndë për rendin dhe sigurinë e vendit. Sot ai konfirmoi të gjithë shqetësimet e Partisë Demokratike se shteti është dorëzuar para krimit, se policia jo vetëm që nuk ka rilindur, por i janë këputur krahët për të luftuar krimin, ka humbur lidhjet me informacionin dhe kontrollin e terrenit”.
Për Ristanin, tritoli, vrasjet, vjedhjet, grabitjet, janë tregues i dëmit të pallogaritshëm që Rama-Tahiri i kanë shkaktuar policisë. Ai deklaroi se kjo e drogës tregon se rikthimi në polici dhe në poste të tjera të larta i personave të inkriminuar me narkotrafikun, nuk ka qenë rastësi.
“Z Rama, ti je përgjegjës për shkallmimin e policisë së shtetit. Ti je përgjegjës për këtë situatë të rëndë të sigurisë në vend. Ti je fshehësi i zellshëm i të vërtetës për narkotrafikun që ka përmbytur Shqipërinë në drogë dhe po sulmon kufijtë e Europës me lumenj droge, ndaj dhe duhet të mbash përgjegjësi”, u shpreh Ristani..
Ai përfundoi deklaratën e tij duke ftuar ditën e nesërme qytetarët shqiptarë të protestojnë para Kuvendit në orën 10, për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një Kolumbi të Europës. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





