Transmetuar më 14-05-2014, 15:19

Tiranë, 14 maj 2014, NOA.al- Pas deklaratës së bërë nga ish kreu i PD, Sali Berisha, në lidhje me djegien e zyrës juridike të Albcontrollit, ka reaguar Shërbimi i Lundrimit Ajror i Republikës së Shqipërisë, i cili ka bërë të ditur se publiku i gjerë po dizinformohet në bazë ditore nga njerëz që nuk njohin argumentin specifik të lundrimit ajror, ose përhapin informacion të rremë me synim krijimin e kaosit informativ, për qëllime personale dhe partiake.

“Albcontrol nuk jep leje fluturimi. Albcontrol kryen shërbimin e lundrimit ajror, ose si në rastet e avionëve VFR (Visual Flight Rules – Avion që Pilotohet me Shikim), shërbimin e informimit të trafikut ajror, në bazë të lejes së fluturimit (clearance), lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil”, thuhet në deklaratën zyrtare të Albcontroll.

Albcontrol bën të ditur se nuk administron shkresa, por të dhëna elektronike që ruhen në sisteme moderne pa kufizim kohor dhe siguron këdo, se sistemet përmbajnë të dhëna mbi të gjithë avionët që janë pajisur me leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe i është ofruar shërbimi i lundrimit ajror.

“Në sistemet tona gjenden të regjistruara të gjitha operimet e datës 10 maj, por edhe të të gjithë ditëve, muajve e viteve të mëparshëm. Albcontrol është agjenci e sigurisë së lartë që funksionon bazuar mbi kodin e aviacionit, Konventën e Cikagos, rregulloret e Eurocontrol dhe mbi të gjitha operon në bazë të dokumentit 4444 të ICAO (International Civil Aviation Organisation), instanca më e lartë rregullatore e aviacionit civil ndërkombëtar”, informon kjo agjenci.

Ajo bën të ditur se kontrollorët e trafikut ajror, kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrën e tyre, të kornizuar nga manualet dhe procedurat e operimit, të cilat janë ndjekur me përpikmëri, dhe në rastin e avionit me shenjë-thirrje I-GRMP, me leje fluturimi numër 193, lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Albcontroll deklaron se ky avion i përket tipit PA32, fluturon sipas rregullave VFR (Visual Flight Rules), pra jo me instrumente navigacional, por me shikim të lirë, totalisht në përgjegjësinë e pilotit.

“Kontrollori i trafikut ajror duke përjashtuar zonën mbi aerodromin e Rinasit, ku ofrohet shërbimi i kontrollit navigacional, i ofron vetëm informacionin navigacional fluturimeve VFR, pasi fluturojnë në lartësi më të ulëta se juridiksioni ynë”, thuhet në deklaratën e Albcontroll.

Më tej deklarohet se të gjitha hapat që janë ndjekur nga kontrollorët e trafikut ajror në Albcontrol, janë konform ligjeve, rregullave dhe procedurave të aviacionit civil në fuqi.

Albcontrol, Shërbimi i Lundrimit Ajror i Republikës së Shqipërisë, monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe mbështetet nga organizma europian dhe ndërkombëtar. “Albcontrol kryen operacione specifike të fushës, me elementë të sigurisë së lartë teknike. Çdo supozim, aludim me apo pa dashje, nga njerëz që nuk njohin argumentin dhe nuk janë ekspertë të fushës, përbalt punën e vështirë dhe të përgjegjshme të dhjetra kontrollorëve të trafikut ajror, përbalt sigurinë ajrore civile në Republikën e Shqipërisë”, përfundon deklarimi i agjencisë Albcontroll. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit