Transmetuar më 14-05-2014, 14:09

Tiranë, 14 Maj 2014 NOA.al – Qeveria shqiptare është dorëzuar para këmbënguljes së qeverisë greke, për të mos pranuar asnjë pasaportë ku emrat e qyteteve të Greqisë nuk shkruhen ashtu siç njihen prej tyre.

Në negociatat e bëra mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, Athina zyrtare nuk ka lëshuar pè. Ajo ka qëndruar në bindjen se asnjë emër grek nuk mund të shkruhet ndryshe në pasaportat shqiptare.

Në këto kushte, pala shqiptare ka pranuar të firmosë një marrëveshje në Bruksel, ku detyrohet që deri në janar 2015 të ndryshojë pasaportat e të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë lindur në Greqi dhe emrat e qyteteve i kanë të shkruar jo siç njihen zyrtarisht nga Greqia. Edhe mediat greke kanë pohuar faktin se marrëveshja detyron qeverinë shqiptare të ndërhyjë në pasaportat shqiptare dhe dokumentet e tjera të identifikimit për të mundësuar lëvizjen e shtetasve pas 1 janarit 2015.

Çështja e toponimeve

Prej vitit 2011, autoritetet doganore në kufijtë grekë me Shqipërinë, u hapin probleme shtetasve shqiptarë, nëse vendlindja e tyre në lokalitete greke, është shkruar në mënyrë të shqipëruar. Kështu, nëse një fëmijë shqiptar është lindur në Greqi, nëse lindja është bërë në Selanik, kufitarët grekë, nuk pranojnë që në pasaportën ndërkombëtare të shtetasit shqiptar të jetë shënuar qyteti i lindjes, Selanik, por Thessaloniki, emri me të cilin ky qytet njihet në Greqi.

Edhe zona të tjera, janë problematike, si Kostur-Kastoria, Korfuz-Kerkira, etj. Këtë refuzim grek e vuajnë më së shumti, shtetasit shqiptarë të lindur në Greqi gjatë viteve ’90.

MPJ Bushati konfirmoi firmosjen e marrëveshjes me homologun grek Venizelos, në Bruksel. “Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord, kanë vendosur një afat, që është 1 janari i 2015. Deri në 1 janarin e 2015 do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në përputhje me praktikën apo Moratoriumin ekzistues që qeveria greke bëri për këtë kategori personash, bashkëqytetarësh tanë, me rastin e Pashkëve. Pra, ajo praktikë e qeverisë greke me rastin e Pashkëve do të shtrihet deri më 1 janar të 2015”.

Bushati pranoi se pasaportat shqiptare do të ndryshohen, por nuk tha se kush do të paguajë koston, shteti, apo sërish qytetarët që preken.

“Do të kemi të bëjmë me një korrektim nga mënyra se si do të shkruhen zonat gjeografike në ato pasaporta për të cilat ka lindur kjo problematikë”, – tha Bushati.

Ai njoftoi se Ministria e Brendshme ka përgatitur një plan veprimi se si do t’i përgjigjet në kohë me detyra specifike të gjitha ndryshimeve që do të ndodhin në planin legjislativ, në planin institucional dhe në planin administrativ.

“Po kështu, Ministria e Jashtme është duke përgatitur planin e qartë të veprimit për të punuar më ngushtësisht me këta bashkëqytetarë që preken nga kjo praktikë që po adresohet për të krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme që korrektimi të kryhet në një kohë sa më të shpejtë dhe gjithashtu për t’i dhënë mundësi këtyre qytetarëve që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre kudo që ato banojnë, pa kurrfarë pengese dhe në mënyrë jashtëzakonisht dinjitoze”, – tha ministri.

Dihet se një pasaportë ndërkombëtare kushton nga 6 mijë deri 15 mijë lekë. Shtetasit shqiptarë që janë pajisur me këto pasaporta dhjetëvjeçare, me ndryshimin që do t’i bëhet vendlindjes, për shembull Selanik – bëhet Thessaloniki, duhet të pajisen me pasaportë të re, gjithnjë nëse nuk bëhet mbivendosje e vendlindjes së shkruar në pasaportën ekzistuese (gjë që nuk ka precedent).

Shumë shqiptarë vuajnë kryeneçësinë greke dhe braktisjen e gjatë të shtetit

Për disa vite rresht, qeveritë që kanë qenë në pushtet, janë mjaftuar me ndonjë “kockë”, që pala greke hidhte për festa fetare ortodokse, si Krishtlindja apo Pashka.

Z.Bushati pohon faktin: “Ajo çka ka qenë e dukshme gjatë gjithë kësaj periudhe, ka qenë fakti i mungesës së lëvizjes së lirë në të dy anët e kufirit, ndërkohë që si pasojë e çështjes së toponimeve bashkëqytetarët tanë kanë hasur vështirësi të panumërta sa i përket ushtrimit të elementëve bazikë, le të themi, të aktivitetit të tyre, për çështje që kanë të bëjnë me pronësinë, çështje që kanë të bëjnë me marrjen e lejes së qëndrimit në Greqi, për çështje që kanë të bëjnë me lindje, me vdekje, me martesa, etj.”.

Bushati thotë se “duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare së bashku me qeverinë greke, ne i krijojmë mundësinë bashkëqytetarëve tanë, jo vetëm të udhëtojnë lirisht në dy anët e kufirit, por të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë dinjitoze, pa kurrfarë pengese në praktikë”.

Deklarata e plotë e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati

“Jam sot para jush për të sqaruar marrëveshjen e firmosur në Bruksel, para dy ditësh me homologun grek, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm Venizelos. Një marrëveshje e cila vjen si pasojë e disa diskutimeve, të cilat kanë filluar qysh në ditët e para të punës së qeverisë sonë, në lidhje me çështjen e toponimeve, një çështje e cila ka shkaktuar jo pak probleme në të shkuarën, për rreth 150 mijë bashkëqytetarët tanë që jetojnë në Greqi.

Siç është informuar opinioni publik kemi rënë dakord për një deklaratë të përbashkët apo marrëveshje mund ta quajmë, e cila reflekton interesin e të dy palëve. E, mbi të gjitha është një marrëveshje e cila bazohet tek rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare për aq sa kjo çështje është e rregulluar nga kuadri ligjor ndërkombëtar.

Që në krye të herës e kemi konsideruar një çështje të karakterit teknik, jo një çështje të karakterit politik që do të krijonte elementë të pakëndshëm në marrëdhëniet mes dy palëve tona. Gjithashtu, kemi rënë dakord se rruga më e sigurt për të adresuar problemet e së shkuarës, është referenca në parimet e së Drejtës Ndërkombëtare dhe këtu e kam fjalën tek emërtesat gjeografike që kanë depozituar të gjithë vendet në OKB dhe gjithashtu tek standardet e ICAO-s që është Organizata Ndërkombëtare  e Aviacionit Civil.

Çfarë do të thotë kjo në terma praktikë? Në terma praktikë Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord, kanë vendosur një afat, që është 1 janari i 2015. Deri në 1 janarin e 2015 do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në përputhje me praktikën apo Moratoriumin ekzistues që qeveria greke bëri për këtë kategori personash, bashkëqytetarësh tanë, me rastin e Pashkëve. Pra, ajo praktikë e qeverisë greke me rastin e Pashkëve do të shtrihet deri më 1 janar të 2015. Ndërkohë të dy qeveritë angazhohen për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore, institucionale, administrative, në mënyrë që 1 janari ta gjejë këtë çështje në mënyrë definitive, të adresuar në përputhje me atë që thashë pak më lart në parimet të së Drejtës Ndërkombëtare.

Do të kemi të bëjmë me një korrektim nga mënyra se si do të shkruhen zonat gjeografike në ato pasaporta për të cilat ka lindur kjo problematikë. Jemi të vendosur për t’i dhënë një zgjidhje të unifikuar, një zgjidhje e cila do të adresonte, jo thjesht shqetësimet e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në Greqi dhe që janë ndeshur deri më sot me këtë problematikë, por edhe bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në vende të tjera të botës ku punojnë, studiojnë apo jetojnë për arsye nga më të ndryshmet.

Së dyti, krahas korrektimit të praktikës në pasaportë në  përputhje me standardet e ICAO-s dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara, ne do të punojmë për të lehtësuar mënyrën e veprimit, në përditshmëri për të gjithë bashkëqytetarët tanë. Ajo çka ka qenë e dukshme gjatë gjithë kësaj periudhe, ka qenë fakti i mungesës së lëvizjes së lirë në të dy anët e kufirit, ndërkohë që si pasojë e çështjes së toponimeve bashkëqytetarët tanë kanë hasur vështirësi të panumërta sa i përket ushtrimit të elementëve bazikë, le të themi, të aktivitetit të tyre, për çështje që kanë të bëjnë me pronësinë, çështje që kanë të bëjnë me marrjen e lejes së qëndrimit në Greqi, për çështje që kanë të bëjnë me lindje, me vdekje, me martesa, etj.

Duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare së bashku me qeverinë greke, ne i krijojmë mundësinë bashkëqytetarëve tanë, jo vetëm të udhëtojnë lirisht në dy anët e kufirit, por të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë dinjitoze, pa kurrfarë pengese në praktikë.

Më lejoni gjithashtu të falënderoj apo të bëj me dije opinionin publik për bashkëpunimin, jo vetëm me qeverinë greke dhe me ministrinë e jashtme të Greqisë që kemi pasur gjatë këtyre 8 muajve, por edhe me Ministrinë e Brendshme Shqiptare, me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Ministria e Brendshme ka përgatitur një plan veprimi se si do t’i përgjigjet në kohë me detyra specifike të gjitha ndryshimeve që do të ndodhin në planin legjislativ, në planin institucional dhe në planin administrativ. Po kështu, Ministria e Jashtme është duke përgatitur planin e qartë të veprimit për të punuar më ngushtësisht me këta bashkëqytetarë që preken nga kjo praktikë që po adresohet për të krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme që korrektimi të kryhet në një kohë sa më të shpejtë dhe gjithashtu për t’i dhënë mundësi këtyre qytetarëve që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre kudo që ato banojnë, pa kurrfarë pengese dhe në mënyrë jashtëzakonisht dinjitoze. E nga ana tjetër t’i krijohet mundësia që deri në 1 janar të 2015 të shtrihet aplikimi që qeveria greke bëri ndaj kësaj kategorie shtetasish me rastin e Pashkëve.

Ne besojmë se kjo është një arritje, pasi dëshmon edhe një herë tjetër seriozitetin e qeverisë sonë për t’i dhënë zgjidhje në mënyrë praktike problemeve të cilat ne i kishim të trashëguara nga e shkuara. Është një problem i cili ka lindur në 2011. Është një problem i trashëguar për qeverinë tonë dhe ka qenë në fokus të bisedave që në ditët e parë të punës së qeverisë sonë, me qeverinë greke. Është një çështje e cila me t’u zbatuar në mënyrë rigoroze, nuk do të jetë më në axhendën e përbashkët të dy qeverive tona.

Fakti që kemi arritur në këtë zgjidhje të përbashkët, duke u bazuar tek e Drejta Ndërkombëtare, duke u bazuar tek referenca të qarta ligjore ndërkombëtare, na jep mundësinë ne dhe qeverisë greke të ecim me vendosmëri për të adresuar edhe çështje të tjera të natyrës së dyanshme, të cilat do të kishin po ashtu një efekt praktik për qytetarët shqiptare dhe qytetarët grekë dhe do të ishin  një dëshmi e qartë e faktit se marrëdhënia shqiptaro-greke, është një marrëdhënie strategjike, është një marrëdhënie e dy fqinjëve anëtarë të NATO-s dhe është një marrëdhënie e dy fqinjëve, të cilët kanë një perspektivë të qartë të përbashkët evropiane”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit