Transmetuar më 14-05-2014, 12:27

Tiranë, 14 maj 2014, NOA.al- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, ka informuar në mënyrë të detajuar lidhur me itinerarin e avionit të bllokuar në Divjakë, si i dyshuar për trafik droge.

Në një aktivitet të Policisë së Shtetit, Didi deklaroi se avioni ishte nisur nga Korfuzi me destinacion Tiranën.

Ai tha se avioni ishte pajisur me leje turistike duke shtuar se, “Avioni u kthye majtas pa kërkuar leje, më tej kur u njoftua në radio nga autoritetet e aviacionit se ku po kthehej, piloti deklaroi se donte të bënte një vizitë turistike në bregdet. Pas kësaj leja ju aprovua. Rreth orës 13.52 avioni u ul në kuotën e 12 metrave pa kërkuar leje, ndërsa pak më vonë humbi nga radarët. Në orën 13.59 humbi kontaktet dhe pas kësaj u urdhërua kontroll emergjence. Avioni u rrëzua në Divjakë, ndërsa si pilot i tij u identifikua shtetasi italian Giorgio Riformato”.

Sipas tij në orën 14.30 efektivat e policisë u nisën drejt vendit të ngjarjes, ku u konstatua avioni i ngecur në rërë i dëmtuar.

Didi tha se pak orë më vonë u gjet një makinë tip Mitsubishi e ngarkuar me drogë me tetë çanta lëndë narkotike dhe u pa një person i cili po lëvizte me një çantë të zezë në pyll.

Nga verifikimet rezultoi se makina ishte në pronësi të Julian Hoxhës, i cili ia kishte dhënë në përdorim Sajmir Bajramit. Rreth dy orë më vonë, u arrestua edhe Bajrami. Në përfundim të fjalës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, u prezantuan edhe pamjet filmike me itinerarin e avionit.

Nga ana e tij Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se operacioni i policisë përfundoi me arrestimin e trafikantëve dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Ai kërkoi që të lihen hetimet të vazhdojnë dhe institucionet të punojnë. Tahiri tha se Policia e Shtetit është në krye të detyrës, ndërsa duke iu drejtuar opozitës kërkoi që të ndalet rruga e shpifjeve dhe të mos përbaltë policinë./a.y/noa.al/

Kronologjia e ngjarjes, sipas Kreut të Policisë, Artan Didi

08 Maj 2014 – 10:16; Avioni I-GRMP ulet në aeroportin “Nënë Tereza”.  Avioni është nisur nga Korfuzi me destinacion Tiranën. Qëllimi i fluturimit është turistik. Leja e fluturimit nr. 193, lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

10 Maj 2014 – 13:26; Avioni I-GRMP, tip PA32, niset nga aeroporti “Nënë Tereza” me destinacion Pescara, Itali.

10 Maj 2014 – 13:50; Avioni, në kuotën 757 metër lartësi, vazhdon fluturimin normal drejt pikës GOKEL. Në pikën DITAN, avioni kthehet majtas, pa kërkuar leje. Kontrollori i trafikut ajror pyet pilotin për aryset e kthesës. Piloti kërkon fluturim për qëllim turistik mbi bregdet. Pas verifikimeve, trafiku ajror aprovon kërkesën e pilotit.

10 Maj 2014 – 13:52; Avioni zbret pa leje në kuotën 212 metër lartësi. Kontrollori i trafikut ajror e kujton pilotin për lartësinë e ulët dhe impaktin me terrenin.

10 Maj 2014 – 13:56; Avioni ngrihet në lartësinë 364 metër, por njëkohësisht humbet nga monitorimi i radarit. Avioni vazhdon të qëndrojë në frekuencë radio.

10 Maj 2014 – 13:59; Avioni humbet komunikimin në radio. Kontrollori i trafikut fillon ndjekjen e procedurës së emergjencës.

10 Maj 2014 – 14:11; Shefi i Komisariatit Lushnjë, Nёnkomisar H. Mitri informohet se një avion i vogël po fluturonte nga Bedati dhe po ulej në Divjakë. Ai informon Drejtorin e Përgj. të Policisë dhe  Ministrin e Punëve të  Brendshme, tё cilёt urdhёrojnё fillimin operacionit pёr gjetjene avionit.

10 Maj 2014 – 14:13; Efektivat e policisë së Divjakës nisen drejt vendit të ngjarjes për verifikim të informacionit. Ata njoftojnë sallën operative të kufirit në Durrës dhe Drejtorin Rajonal për Kufirin. Marrin detyrë për bllokimin e zonës.

10 Maj 2014 – 14:18; Sipas procedurave të emergjencës, njoftohet Sektori i Koordinimit të Forcave Ajrore dhe Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit në Forcat e Armatosura. Nis koordinimi i gjithë strukturave.

10 Maj 2014 – 14:20; Efektivat e policisë mbërrijnë në vendin e ngjarjes dhe konfirmojnë mjetin e ulur dhe pilotin, 2 metra larg avionit, teksa mbante nё dorё 2 çanta. Avioni kishte ngecur në rërë, i dëmtuar. U konstatua se piloti ishte Giorgio Riformato, me nënshtetesi italiane.

10 Maj 2014 – 14:21; Qendra e Kontroll-Raportimit informon zëvendëskomandantin dhe Shefin e Shtabit të Forcave Ajrore mbi të dhënat e planit të fluturimit.

10 Maj 2014 – 14:23; Koordinatori ushtarak pranë Albcontrol Tirana dhe Qendra e Bashkuar Operacionale njoftojnë Postën e Kontroll-raportimit në Hortiatis – Greqi, Licola – Itali dhe Torrejon – Spanjë.

10 Maj 2014 – 14:33; Patrulla e dytë, në aksin Divjakë – Plazh, identifikoi dy automjete të ndaluara buzë rrugës, Mitsubishi me targë AA794HU që po ngarkohej në rimorkio të tërhequr nga Range Rover me targë AA500CX. Një shtetas po largohej nga automjeti në drejtim të pyllit me një çantë të zezë. Policia bllokoi makinat, të dyshuara me ngarkesë lënde narkotike dhe u vu në ndjekje të shtetasit në largim.

10 Maj 2014 – 14:35; Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë u nisën për në vendngjarje Drejtori për Narkotikët dhe Trafiqet Z..Faskaj dhe Shefi i Sektorit të Narkotikëve Z. Selfollari.

10 Maj 2014 – 14:50; U identifikuan personat e ndaluar dhe pronari i automjetit ku gjendej lënda narkotike. U la detyrë verifikimi i pronarit të mjetit ku u gjet lënda narkotike. Kontaktohet me palën italiane për të verifikuar gjeneralitetet e pilotit italian dhe të dhëna për aktivitet kriminal tё tij.

10 Maj 2014 – 15:30; Shefi i Komisariatit tё Policisё Lushnjё njofton prokuroren e rrethit, (Znj. Merita Selimi )

10 Maj 2014 – 15:35; Mbërrijnë në vendngjarje FNSH-së nga Tirana dhe Fieri. Kufizohet zona e plazhit dhe pyllit të Divjakës. Fillon operacioni i kërkimit.

10 Maj 2014 – 16:04; Policia e Durrësit verifikoi se pronari i makinës Mitsubishi ku u gjet lënda narkotike ishte Julian Hoxha. Ai deklaroi se mjetin ia kishte dhënë në përdorim Sajmir Bajramit, 39 vjeç. Rezultoi se ky shtetas kishte mbërritur në Shqipëri dy ditë më parë.

10 Maj 2014 – 16:22; Ёshtё njoftuar Prokuroria e Krimeve tё Rёnda

10 Maj 2014 – 16:26; Nga pala italiane jepen tё dhёna lidhur me shtetasin Giorgio Riformato e precedentёt penal tё tij.

10 Maj 2014 – 16:50; Në afërsi të avionit të rrëzuar, në pjesën e pyllëzuar u gjetën 8 çanta, të cilat dyshoheshin si lëndë narkotike. Gjithashtu u gjetën 3 doreza plastike, një sinjal automjeti dhe një flamur. Ato u sekuestruan si prova materiale.

10 Maj 2014 – 17:51; Në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit” në pyllin e Divjakës u kap Sajmir Bajrami. Në çantën e tij u gjetën 27,550 Euro, çelësat e automjetit dhe leja e drejtimit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit