
Korçë, 14 maj 2014, NOA.al- Gjyshja e foshnjës i cili gjeti vdekjen pak orë pas lindjes në qytetin e Korçës ka denoncuar mjekun gjinekolog që asistoi në lindje.
56 vjeçarja L.Demolli ka denoncuar mjekun 46 vjeçar Sh.I., me banim në Bënjës së Ersekës, duke deklaruar se për lindjen e nipit të saj më 10 maj, me veprimet e tij e ka detyruar për t’i dhënë 300 mijë lekë të vjetra atij dhe stafit që ka marrë pjesë në lindjen e fëmijës.
Lidhur me këtë rast nga ana e policisë nisi procedimi penal në ngarkim të tij për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Tre ditë më parë mjekët e maternitetit të Korçës reaguar për vdekjen e foshnjës pas akuzave të nënës për neglizhencë.
“Lindja ishte normale. Por më pas foshnja u bë keq pasi lindi me asfiksi akute të rëndë” është shprehur mjeku Edion Koçinaku.
Mjekët shprehen se nuk kanë kërkuar lekë nga familjarët. Koçinaku shtoi se kërkuan të transportonin foshnjën në Tiranë por familjarët nuk pranuan. Ndërkohë që më herët nëna e foshnjës, Manushaqe Demolli fajësoi mjekët për vdekjen e djalit të saj. Sipas saj, mjekët fillimisht i kishin thënë se foshnja është mirë dhe pak orë më pas e deklaruan të vdekur./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





