
Tiranë, 14 maj 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, gjatë një takimi me ish-të përndjekurit, deklaroi se do të propozohen ndryshime në ligj për dëmshpërblimin e ish- të përndjekurve.
Ai tha se brenda ndryshimet në ligj do të publikohen brenda 20 majit dhe ish të përndjekurit që do të dëmshpërblehen të parët janë ata mbi 70 vjeç.
“Ndryshimet në ligjin e dëmshpërblimit parashikojnë më shumë humanitet. Në amendimet e reja do të sigurohemi që këstet më të mëdha dhe dëmshpërblimin më të shpejtë ta marrin ata që janë ende gjallë dhe që janë në vitet e fundit të jetës”, u shpreh Veliaj.
Këto deklarata u bënë gjatë ndarjes së këstit të parë të dëmshpërblimit për 106 ish të përndjekur të tjerë, të cilëve këtë javë u ka kaluar në llogaritë bankare pagesa për vitet e burgut të kryera në regjimin komunist.
“Ne jemi shumë të ndjeshëm, jo vetëm që t’i bëjmë në kohë pagesat, por edhe të rikuperojmë ato pagesa që nuk janë kryer ndër vite. Me të drejtë, disa ish të përndjekur kërkojnë këstin e tretë, ndërkohë që grupe si ky që po marrin paratë sot nuk kanë marrë ende këstin e parë. Por, unë gjykoj se po bëjmë gjënë e duhur duke shpërndarë fillimisht këstin e parë për të gjithë, e më pas të vijojmë me këstet e dyta e të treta”, u shpreh ministri Veliaj.
Ai shtoi se dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë nuk është aspak çështje politike dhe theksoi se ky proces do të vazhdojë pa ndërprerje./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





