Transmetuar më 13-05-2014, 23:48

Nadeem Ilahi: Rritja ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë 2 për qind këtë vit

Një ekip i stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e Nadeem Ilahi, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 30 prill-13 maj 2014, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e parë në kuadrin e marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF).

Në fund të vizitës, zoti Ilahi mbajti një deklaratë ku tha se pas ngadalësimit në vitin 2013, rritja ekonomike parashikohet të jetë 2 për qind këtë vit.

Sipas z.Ilahi, ky parashikim përforcohet nga rritja e vazhdueshme e eksporteve dhe nga një rimëkëmbje modeste e kërkesës së brendshme.

“Por prodhimi vazhdon të jetë nën potencial dhe inflacioni pritet të mbetet i ulët”, – vërejti Ilahi.

Ai vlerësoi se autoritetet kanë bërë progres të mirë në përgatitjen e strategjie reforme në fushën e pensioneve.

“Pritet që propozimi për reformën, i përgatitur në bashkëpunim me Bankën Botërore, të ndihmojë për të siguruar që sistemi të bëhet i qëndrueshëm në periudhën afatgjatë”, – tha Ilahi.

Ai tha se programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit.

Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet shqiptare, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e parë të EFF-së, pasi janë përmbushur të gjitha kriteret e performancës dhe piketat strukturore të vendosura për fundin e muajit marsit.

“Ecuria fiskale ka qenë në përputhje me planin e parashikuar në program në tremujorin e parë të vitit 2014, dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ka filluar të ecë përpara. Autoritetet mbeten të angazhuara për një konsolidim të mëtejshëm fiskal në vitin 2015, në mënyrë që borxhi publik të fillojë të zvogëlohet, sikurse parashikohet nga programi ekonomik i tyre. Pritshmëritë për inflacionin duket se janë të mbështetura mirë dhe politika monetare duhet të vazhdojë ta mbështesë rimëkëmbjen ekonomike, në përputhje me mandatin e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Por, kalimi në kahun rritës të kredisë vazhdon të pengohet nga mungesa e dëshirës për të marrë risk nga ana e bankave”, – tha Ilahi.

Sektori i energjisë elektrike përbën një risk të madh fiskal sipas FMN. “Ka nevojë të ngutshme për reforma, për të rritur nivelin e arkëtimeve, për të mbajtur nën kontroll humbjet në shpërndarje dhe për të pakësuar vjedhjet në mënyrë që t’i jepet fund varësisë së tanishme të këtij sektori tek mbështetja fiskale për të financuar sektorin. Krahas kësaj, ekziston nevoja për t’u dhënë zgjidhje risqeve të tjera fiskale që mund të lindin, përfshirë këtu edhe ato risqe që kanë të bëjnë me kompensimin dhe kthimin e pronave”, – tha Ilahi.

“Misioni i stafit të FMN-së e mbështet politikat dhe punën e autoriteteve për reformat strukturore, përfshirë ato për të përmirësuar klimën e biznesit dhe i konsideron ato si bazë e besueshme për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar”, – përfundoi Ilahi.

Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e parë të EFF-së së Shqipërisë në fund të muajit qershor. Miratimi i shqyrtimit do të çonte në lëvrimin e shumës prej 23,55 milion SDR (rreth 26,5 milion euro). Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014. /a.c/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit