Transmetuar më 13-05-2014, 18:07

EKSKLUZIVE/ Dëshmitë e gruas së të dyshuarit. Detajet si u sigurua makina e gjysmë kuintali marijuanë. Kushëriri i Sajmir Bajramit shpjegon pozicionin e tij si pronar i mjetit. Dhe si Sajmiri kishte ndërruar mbiemrin nga Bega duke vënë si mbiemër, emrin e babait

Tiranë, 13 Maj 2014 NOA.al/ Klodiana Kotorri – “Sajmiri më kërkoi makinën më datë 9 maj duke më thënë se do të merrte familjen nga Rrësheni për ta dërguar në Durrës ku dhe jetojnë. E besova dhe ia dhashë. Që makina ime ishte përdorur prej tij për të transportuar drogë e kam marrë vesh të nesërmen kur më erdhi policia në shtëpi”.

Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë J. Hoxha, pronari i makinës tip "Mitsubishi", me targa AA 794 HU brenda së cilës u gjetën 640 kg lëndë narkotike, kanabis sativa, citon noa.al, burime nga grupi hetimor.

Hoxha, banor i fshatit Mazhë, Krujë u mor në pyetje nga oficerët e policisë pasi rezultoi se ishte pronari i fuoristradës së gjetur me drogë të llojit marijuanë në Divjakë më datë 10 maj të këtij viti dhe disa çanta me lëndë narkotike, sikurse ka deklaruar ministri i i Brendshëm, Saimir Tahiri. Për këtë sasi droge, policia arrestoi shtetasin shqiptar, Sajmir Bajrami, i cili do t’i dorëzonte lëndë narkotike shtetasit italian Giorgio Riformato, 67 vjeç. Ky i fundit drejtonte avionin i cili u ul të shtunën në Divjakë.

Policia ka kryer kontrolle në dy banesat e Bajramit në Durrës, në banesën e tij dhe të prindërve. Këta të fundit i kanë thënë policisë se nuk kishin dijeni për aktivitetet e djalit të tyre.

Policia ka marrë në pyetje edhe bashkëshorten e Bajramit.

“Unë erdha në Shqipëri një javë më parë ndërsa Sajmiri erdhi më datë 7 maj. Do të qëndronim edhe një javë për të takuar të afërmit tanë dhe më pas do të largoheshim sërish drejt Bolonjës ku jetojmë prej shumë vitesh. Mësohet se Sajmiri është i martuar dhe me një djalë 2-vjeçar”, – tregon e shoqja e Bajramit.

Më datë 9 maj, bashkëshortja e tij kishte shkuar tek familjarët e saj së bashku me djalin në Rrëshen.

Vetë Sajmiri kishte shkuar në fshatin e tij të lindjes në Mazhë të Krujës ku i kërkoi takim kushëririt të tij, J. Hoxha.

“U takuam pranë një karburanti në fshat dhe pasi biseduam për çështje të përgjithshme, Sajmiri më kërkoi fuoristradën time pasi i duhej të merrte gruan dhe djalin në Rrëshen për t’i çuar në Durrës. I thashë të më priste sa të çoja disa gjëra në shtëpi dhe do ia jepja makinën. U ktheva pas disa minutash dhe ia dorëzova makinën ndërsa ai më tha se do të ma kthente po atë ditë në darkë, por nuk ma solli. Të nesërmen pasdite forcat e polici më erdhën në shtëpi dhe më thanë se makina ime ishte përdorur për të transportuar drogë. Nuk e dija që Sajmiri do e përdorte për këtë gjë makinën time, ndryshe nuk do t’ia jepja” mësohet të ketë thënë në polici, J. Hoxha.

Familjarët e Bajramit kanë thënë në polici se nuk kishin menduar asnjëherë se Sajmiri merrej me trafik droge. Sipas tyre kjo është përfshirja e tij e parë me drogë megjithëse nuk kishin dijeni më parë, gjë të cilën e mësuan pas arrestimit të tij.

Burime nga policia thanë për NOA-n se disa vite më parë Sajmiri ka ndërruar mbiemrin duke e kthyer nga Bega në Bajrami. Ai ka vendosur si mbiemër, emrin e babait të tij Bajram. /k.k/a.c/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit