Transmetuar më 13-05-2014, 14:15

Tirana kurorëzoi me sukses një sezon që dukej i dështuar që në javët e para, citon Supersport.

Bardheblutë e kaluan pjesën më të madhe të sezonit në zonën e ftohtë të klasifikimit, madje deri në merkaton e dimrit gjërat ndryshuan shumë pak.

Gjithsesi, merkatoja e dimrit e forcoi ndjeshëm grupin ku Endri Vrapi bën pjesë që në fillim të sezonit. Mbrojtësi bardheblu bën një rezyme të këtij sezoni, duke u shprehur i kënaqur që skuadra e arriti objektivin.

"Kemi lënë shumë pikë në fazën e parë, pretendonim Europën por duke parë si shkuan gjërat, mendoj se objektivin e kemi arritur."

Në vijim, Vrapi sjell në vëmendje një nga ndeshjet më të vështira të këtij sezoni.

"Në fazën e dytë të gjitha ndeshjet ishin të vështira, unë zgjedh atë me Vllazninë sepse ishte tejet e vështirë dhe fatmirësisht unë shënova në atë takim".

Tashmë në moshën 32 vjeçare, mbrojtësi bardheblu është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë të kampionatit. Por si e shikon të ardhmen ai?

"Besoj se jam në ditët ku mund të jap akoma, por duhet t’ia bësh hyzmetin në sport që të kesh jetëgjatësi. Kam kontratë deri në fund të majit dhe me donatoret duhet të flas para se të përfundojë kjo kontratë."

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit