
Ka kaluar një vit për Fernando Alonson pa fituar një Cmim të Madh në Formula 1, citon Supersport.
Piloti i Ferrarit i shqetësuar për situatën aktuale i trembet faktit se do të duhet të presë ende shumë për t’u rikthyer në shkallën më të lartë të podiumit, i ngjitur për herë të fundit në garën e shtëpisë në Spanjë, sezonin e kaluar.
Që nga ajo ditë, vetëm tre pilotë e kanë kaluar të parët vijën e finishit në garat pasardhëse, kampioni në fuqi Sebastian Vettel dhe dy pilotët e Mercedes, Hamilton e Rosberg.
I gjunjëzuar para epërsisë së skuadrës gjermane, asturiani i kokëkuqes deklaroi se Mercedes ka treguar se është në gjendje të fitojë çdo garë, pasi piloti britanik të cilin dikur e ka patur shok skuadre te McLaren, triumfoi për herë të katërt radhazi.
Një parashikim i tillë, te Mercedes u prit me buzëqeshje nga Toto Wolff, i cili tha se duket çmenduri kur është ende shumë herët, por që gjithsesi i pëlqeu ideja e një dominimi absolut në Formula 1.
Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një pilot të fitojë 4 gara njëra pas tjetrës e të dështojë më pas për titullin, por këtë sezon duhet patur parasysh se Rosberg po i qëndron shumë pranë britanikut Hamilton.
Njëri apo tjetri, pak rëndësi ka për Fernando Alonson, pasi për të kapitullimi i Ferrarit është një realitet i hidhur dhe gjermanët e Mercedes nuk ka kush t’i rivalizojë.
Eshtë hera e dytë për pilotin spanjoll, ndoshta jo aq hapur sa vitin e kaluar, që del e flet duke nënvlerësuar skuadrën e tij.
Zërat qarkullojnë prej kohësh, sidomos nga Spanja, e nuk do të ishte më çudi dita e largimit të dy herë kampionit nga skuadra e kuqe.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





