Transmetuar më 12-05-2014, 18:36

Tiranë, 12 maj 2014, NOA.al- Ish kreu i shtetit, Sali Berisha shprehet se njerëzit e Kryeministrit Rama kanë ndihmuar pilotin Reformato të hyjë dhe të dalë lehtësisht në aeroport. Gjithashtu ai deklaroi se policia e shtetit ka fshehur ngarkesën me drogë në 4 çanta.

“Për të hyrë dhe dalë nga porta e personelit Reformaton e ka ndihmuar, me urdhër nga lart, në kundërshtim flagrant me ligjin, menaxheri i turnit të kompanisë së sigurisë së aeroportit ICTS, Eno Bushi, ish avokat i PS në KQZ dhe bashkëshorti i Johana Bushi, ish shefe e kabinetit të Edvin Kristaq Ramës si kryetar Bashkie dhe aktualisht zyrtare e lartë në Agjensinë Kombëtare të Transportit Ajror në Rinas”, deklaroi Berisha

Ai shton më tej se Zoti Sula, drejtori i ANTA-s, u shkarkua 10 dite para kësaj ngjarje sepse ai nuk zbatoi urdhrat antiligjore që favorizonin rilindasin ajror Reformato.

“Policia ka fshehur ngarkesën e gjetur në avion në 4 çanta. Në komunikatat e saj kishte njoftuar se u gjetën 27 mijë euro dhe asnjë fjalë për çanta”, bëri të ditur Berisha.

Ish kreu i PD kujtoi se sot një gazetar paraqiti fotot e marra nga një dëshmitare në vendngjarje, në të cilat tregohet një njeri duke zbritur dy çanta nga avioni. Ai shtoi se sipas dëshmitarit, menjëherë pas rënies së avionit, ai konstatoi se avioni u rrethua nga 6 makina Mitsubishi dhe një Golf, dhe nga avioni zbritën piloti me një person tjetër si dhe u nxorrën prej tij dhe 4 çanta (me drogë? me grosh?), dy prej të cilave dëshmitari i kishte fotografuar me një person që i mbante ato.

“Na del se personi ishte një inspektor lokal policie që ndodhej në vendngjarje me makinën e një privati dhe kishte thyer (me urdhër nga sipër) çdo rregull në qëndrimin ndaj provave në vendin e ngjarjes”, shprehet Berisha në shkrimin e tij.

Ai vijon më tej duke thënë se pas paraqitjes se këtyre fakteve tronditëse nga gazetari, policia njoftoi një konferencë shtypi dhe, në një akt shantazhi të vërtetë ndaj gazetarit që publikoi faktet tejet të rënda, paraqiti në një foto dy çanta që nuk dukeshin aspak si çantat e fotos së dëshmitarit duke thënë se ato ishin çantat e pilotit.

“Policia ra brenda me këmbët e veta sepse me këtë dëshmoi se ajo ka fshehur ekzistencën e 4 çantave dhe në asnjë komunikatë të saj deri sot nuk ka njoftuar për gjetjen e çantave në avion”, thotë Berisha.

Sipas tij, të gjitha këto fakte të reja pohojnë se kemi të bëjmë me një trafik të mirëfilltë qeveritar droge. “Kësaj i thonë me vrap drejt kartelit Rama të drogës! Vetëm lëvizja Rama ik do shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët nga qeveria e drogës!”, përfundon ish kreu i qeverisë, Sali Berisha./a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit