Transmetuar më 11-05-2014, 21:43

Primera Division është kampionati më i çmendur në planet, jo sepse Atletiko Madridit, Barcelona dhe Reali Madridit dhurojnë spektakël, pasi spektaklin e vërtetë e japin skuadrat e zhveshura nga çdo objektiv, që kërkojnë të japin maksimumin për të respektuar lojën dhe garën e ndershme.

Në letër, transfertat e Barcës e Realit dhe sfida në shtëpi të Atleticos duhet të ishin të thjeshta, por për fatin e të gjithëve La Liga nuk luhet në letër, por në fushë dhe kjo e fundit vendosi, Reali jashtë gare dhe Atletiko e Barcelona do të luajnë si në një finale kupën e Primeras.

Malaga rezultoi kockë e fortë për Atletikon e Simeones, fati i të cilit në këtë 90 minutësh, mund të përmblidhet i tëri në këtë pritje të minutës së 94-tërt, të portierit të Malagës, Willy Caballero.

Atletiko e kërkoi gjatë gjithë ndeshjes fitoren, që do të ishte “championship point” për ekipin e “El Cholos”, por në pjesën e parë u ndal gjithashtu dhe nga traversa, me David Villën që këtë herë nuk bëri dot maravillan.

Goli i Garcias, në minutën e 65-të, pllakosi një heshtje lotësh në “Vincente Calderon”, të cilën e theu më në fund barazimi i Toby Aldeëeireld në të 74-trën.

Për 16 minuta, Atletico duhet të gjente vetëm një gol, por fati kishte të tjera plane për ta, ashtu si dhe për rivalët e tij.

Për të kuptuar se çfarë ndeshje zhvilloi Barcelona në “Martinez Valero”, mjafton të shikosh rastin e minutës së 65-të, kur Pinto bëri xhonglerin deri në mesfushë, për të evituar rrezikun në portën e Barcelonës.

Katalanasit luajtën një ndeshje me dy fytyra, ku në të parën bënë gjithçka, por gjithçka për të arritur te goli, ndërsa në të dytën lejuan Elchen të bënte gjithçka për të realizuar. Rodriguez gjithashtu në të 80-tën fali blaugranat, ndërsa në krahun tjetër ishte Adriano që preku rrjetën më në fund, por vetëm atë të jashtmen.

Vërshëllima e fundit shpëtoi Elchen, që festoi sikur të kishte marrë ajo titullin kampion, sa për Barçën titulli vendoset javën e ardhshme.

Reali brenda pak ditësh përfundoi nga Parajsa në Ferr. Entuziasmi për finalen e “Da Luz” i ka fikur këmbët lojtarëve los blancos, që këto kohë kanë parë vetëm zi në rezultatet e tyre.

Barazimet me Valencian e Valladolidin u pasuan nga një humbje përballë Celta Vigos. Ancelotti dukej sikur nuk besonte as vetë te titulli, duke hedhur në fushë një formacion plotësisht të dytë dhe nëse i shton këtu dhe faktin se në stol gjendet dhe trajneri i ardhshëm i Barcelonës, atëherë detyra bëhet e vështirë për madrilenët.

Skuadra e Celtës duket se evoluon në këtë 90 minutësh, dhe si për ironi njeriu që i tregon evolucionin e vendasve kryeqytetasve quhet Charles, që fryn dy herë rrjetën e Diego Lopezit.

Reali me këtë humbje mbeti jashtë garës për titullin, ndërsa Atletiko dhe Barcelona do ta luajnë trofeun javën e ardhshme, me ndryshimin se los colchoneros janë të kënaqur dhe me një barazim në “Camp Nou”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit