Transmetuar më 11-05-2014, 20:54

“Rreziku më i madh është të mos rrezikosh”, është kjo shprehja e thënë dikur nga Pep Guardiola, të cilit Barcelona i besoi stolin në vitin 2008 dhe historia në vijim nuk shkoi keq, me shumë trofe të fituar njëri pas tjetrit, citon Supersport.

6 vjet më vonë, blaugranat përgatiten të hedhin një hap të ngjashëm me emërimin e Luis Enriques në vend të Tata Martinos, por a është 44-vjeçari, i duhuri për të marrë përsipër një përgjegjësi kaq të madhe? Edhe nëse do ta mbyllë La Ligan me titullin në duar, tekniku argjentinas thuajse e ka bërë fakt të kryer lamtumirën, kur tha se nuk e meriton një shans të dytë.

Ndërkohë te Barcelona drejtuesit janë duke hedhur mbi letër skicat për skuadrën e të ardhmes, për një revolucion rrënjësor që nis nga stoli dhe do të prekë çdo aspekt të klubit.

Rimodelimi gjithsesi nuk po ecën pa divergjenca, pasi ka një ndarje me presidentin Bartomeu, e zëvendësin e tij Mestre, që nuk pajtohen me disa nga pikat e projektit të Zubizarretas.

Në këtë mes futet Luis Enrique, të cilit i takon të bëjë amortizatorin. Rasti më i diskutuar është ai i David Luiz. Mbrojtësi i Chelseat ndiqet që prej verës së kaluar, por ka patur mjaft dyshime përsa i përket mungesës së disiplinës taktike të brazilianit në fushë.

Për David Luiz, u caktua edhe një grup ekspertësh, të cilët edhe ata arritën në konkluzione jo shumë pozitive.

Me Thibaut Courtois po ashtu ekziston një situatë e ngjashme. Zubizarreta çështjen e portës e konsideron të mbyllur me ardhjen e Ter Stegen, ndërsa drejtuesit e tjerë ushtrojnë presion që ky repart të jetë më i fortë dhe po kështu edhe Luis Enrique dëshiron tre gardianë të nivelit më të lartë.

E njëjta histori edhe me rastin e Cuadrados. Mesfushori i Fiorentinës ka aprovimin e kupolës drejtuese, por fjalën e fundit duhet ta thotë trajneri i ri, i cili duhet të vendosë edhe për fatin e Dani Alves.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit