
Shkodër, 11 maj 2014, NOA.al- “Mos më kundërshto se je më i vogël. Ti nuk durohesh”. Pas këtyre fjalëve, 25-vjeçari Meraldo Hato ka nxjerrë pistoletën dhe qëlloi me një plumb në gjokës shokun e ngushtë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm në lokalin e natës “Enigma” në periferi të qytetit të Shkodrës, kur Meraldo Hato ka vrarë me armë zjarri shokun e tij Indrit Hylli, 22 vjeç, si dhe plagosi shokun tjetër Jetmir Molla i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës pas hetimeve të para ka mundur të zbardh motivet e ngjarjes ndërsa ka shpall në kërkim autorin e dyshuar.
Burime nga policia thanë për MOA-n se tre shokët, ashtu siç do ditë ishin takuar edhe pasditen e djeshme.
Ata shkuan në stadium ku pasi ndoqën ndeshjen e futbollit mes Vllaznisë dhe Teutës së Durrësit shkuan në një lokal ku konsumuan pije alkoolike. Në orët e vona të natës të tre shokët mbërritën në lokalin me muzikë “Enigma” ku kanë vazhduar të konsumojnë alkool.
Në gjendje të dehur mes Indrit Hyllit dhe Meraldo Hatos ka nisur një debat për zërin e muzikës në lokal.
Njëri prej tyre i ka kërkuar kamerierit të ulin pak zërin ndërsa tjetri të kundërtën.
Mes dy shokëve të ngushtë ka nisur një debat i fortë me fjalë fyese.
Sipas hetimeve, Hato i ka kërkuar 22-vjeçarit të mos flasë më, pasi është më i vogël se ai por kjo gjë është kundërshtuar nga Hylli.
Pas fjalëve të ndërsjella, 25-vjeçari ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe ka qëlluar me një plumb në gjoks shokun e tij i cili është mbuluar me gjak brenda pak sekondave. I terrorizuar Molla është ngritur në këmbë për t’u larguar por Hato e ka qëlluar dhe atë pasi ka menduar se do i vësulejj. Mësohet se Jetmir Molla ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes autori u largua me shpejtësi sëbashku me armën e krimit dhe ende nuk është kapur.
Policia tha se gjatë kontrolleve të ushtruara u gjet një armë zjarri në një servis makinash në pronësi të vëllait të autorit të dyshuar.
Elker Hato u arrestua për “armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë që policia ka verifikuar edhe listën e lokaleve me muzikë që disponojnë leje përkatëse për të qëndruar 24 orë hapur dhe në këtë listë figuronte edhe lokali ku ndodhi ngjarja. Personat që punonin në lokal si dhe pronari pasi u morën në pyetje u lanë të lirë. Policia po vazhdon kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





