Transmetuar më 10-05-2014, 22:02

Tiranë, 10 maj 2014, NOA.al- Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Erion Braçe reagoi lidhur me bllokimin e avionit në Divjakë, i cili dyshohet se është i përfshirë në trafikun e drogës.

Deputeti socialist tha se sot çdo shqiptar, mori provën e radhës së një Qeverie të angazhuar fort në luftën kundër paligjshmërisë, korrupsionit, krimit të organizuar, rrënjosur thellë e strukturuar po kaq thellë në 8 vite në këtë vend.

Sipas tij shqiptarët morën provën e radhës së një Qeverie të angazhuar fort si një e tërë, me çdo strukturë, civile, ushtarake e policore, agjenci ligjzbatuese të këtij shteti për të goditur kudo krimin dhe se çdo shqiptar, mori provën e radhës së një Qeverie të angazhuar fort në shkëputjen e çdo lidhje të hershme e të konsoliduar mes krimit dhe këtij vendi, të përdorur gjatë, për 8 vjet me radhë, për trafiqe gjithfarësh, përfshirë trafikun e njerëzve, drogës, armëve.

Braçe deklaroi se dita e sotme sjell në vëmendje të kujtdo një dallim të madh mes vullnetit politik për të mbështetur politikisht çdo linje trafiku, çdo organizate kriminale, çdo trafikant, duke dhënë nga një djalë e vajzë qeverie si garant për ta, ndodhur çdo ditë në 8 vite të qeverisë Berisha- Basha dhe vullnetit politik për të ngritur, pajisur, rritur e bërë funksionale, çdo strukturë shtetërore për të goditur çdo linjë trafiku, çdo organizatë kriminale, çdo trafikant pavarësisht emrit e mbiemrit, fuqisë financiare e logjistike që kanë, ndodhur çdo ditë të 8 muajve të një Qeverie të re të vendosur qartë përballë krimit.

“Sot, nuk shpëtoi kush, as u fsheh e as përfundoi në drejtim të paditur!! Sot, u godit një tentativë për të ngritur një linjë trafiku të drogës; U arrestua cilido që u identifikua si i përfshirë në të dhe hetimi vazhdon. Nuk ndodhi aksidentalisht! U realizua pasi prej muajsh kontrollohet e mbrohet nga çdo veprimtari e paligjshme, çdo pëllëmbë e këtij territori; U realizua pasi sot, çdo agjenci shtetërore, çdo strukturë policore e ushtarake, ishte gati, mbikëqyri, raportoi, koordinoi, veproi dhe goditi në kohë rekord një tentative trafiku, dëshmoi efikasitet dhe vullnet të qartë politik për të goditur pa u ndalur, blerë e korruptuar si 8 vite me radhë. Sot droga nuk iku siç ndodhte shpesh e me shpesh në 8 vjet! Sot droga u kap sërish! Bashkë me përgjegjësit! Të bësh këtë je përballë krimit e kundër tij; Të sulmosh këtë je në krah të krimit dhe pjesë e tij. Të parën, kemi 8 muaj që po e ndërtojmë; Të dytën, e vuajti për 8 vite çdo shqiptar, burrë e grua, djalë e vajzë, fëmijë, dhe ky vend”, u shpreh Braçe.

Ai tha se lumi i drogës që rrjedh nga plantacioni i Sali Berishës, mbjellë, rritur, korrur lirisht dhe nën kujdesin politik personal të tij, veçanërisht vitin e fundit të tij, tani ka një përgjigje, të qartë, të fortë, efikase.

Braçe ftoi që të mos harrohet se në Shqipëri katër shqiptarë, Sali Berisha e Lulzim Basha i vranë për ti vjedhur dhe i vodhën pasi i vranë, duke shtuar se “Kjo kohë ka marrë fund! Pasuria e vënë në këtë skemë gjaku nuk i mbron më. Tani do bëhet drejtësi!”/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit