
Cristiano Ronaldo nuk do të luajë në transfertën me Celta Vigon, citon Supersport. Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti konfirmoi dhe shpjegoi mungesën e yllit portugez, ndërsa foli edhe për gjendjen e lojtarëve të tjerë, kur përpara ndodhet finalja e Champions League.
“Cristiano nuk do të luajë sepse nuk është në 100% të formës dhe preferoj të mos rrezikoj. E njëjta gjë vlen edhe për Pepen, Varane, Carvajal dhe Di Marian, të cilët gjithashtu nuk do të aktivizohen në këtë ndeshje. Ky është vendimi i përbashkët i të gjithëve, pasi biseduam me mjekun e klubit”.
Me mungesën e disa lojtarëve të rëndësishëm, Ancelotti do t’i mbajë shpresat tek të tjerët. Sipas italianit, në futboll mund të ndodhë gjithçka, prandaj kundër Celtas do të kërkohet me vendosmëri suksesi.
Trajneri i Los Blancos pranoi se morali i djemve të tij ka rënë, teksa theksoi se skuadra është në gjendje të fitojë edhe pa Ronaldon. “Sigurisht që lojtarët nuk janë të kënaqur nga barazimet, por nuk kemi dyshime për finalen.
Në kampionat kemi humbur pikë të rëndësishme dhe këtë fundjavë, gara për ne mund të marrë fund ose të hapet më shumë nga sa kemi menduar.
La Liga e këtij sezoni ka patur shumë surpriza, prandaj duhet të jemi të përgatitur për ndonjë tjetër. Edhe pa Cristianon kemi fituar. E rëndësishme është të mos rrezikojmë në këto momente”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





