Transmetuar më 10-05-2014, 18:18

Divjakë, 10 maj 2014, NOA.al/Arjola Ymeraj- Policia e Shtetit ndaloi sot një avion privat të drejtuar nga një shtetas italian i cili ishte ulur në një zonë pranë Divjakës. Shtetasi italian dyshohet të ketë bërë uljen në këtë zonë per t’u ngarkuar me drogë.

Pranë zonës janë gjetur disa çanta me marijuanë, ndërsa në dalje nga parku i Divjakës policia ka bllokuar dhe një makinë në të cilën po ashtu është gjetur një sasi marijuane. Në total bëhet fjalë për afër 460 kilogramë drogë.

Në kulmin e debatit për trafiqet e drogës në Shqipëri, dyshimeve të hedhura dhe nga Shërbimi sekret dhe akuzave të opozitës se droga po trafikohej edhe nga ajri, sot policia ka ndaluar një avion privat në zonën e Divjakës.

Avioni është ulur në një zonë pranë plazhit dhe ka pësuar dëmtime. Policia e cila ka vajtur menjëherë në vendngjarje, ka ndaluar pilotin e avionit, një shtetas italian 68 vjecar, Giorgio Riformato.

Bajrami pranon: Droga po ngarkohej në avionin e italianit

Transportuesi i drogës së gjetur në makinën "Mitsubishi" pranë avionit italian i tipit "Piper" i cili u ul pasditen e sotme në bregdetin e Divjakës, ka pranuar faktin se droga do të ngarkohej në avion.

Piloti italian Giorgio Rifomato mohon të ketë lidhje me drogën. Në makinën e gjetur pranë avionit u sekuestruan 460 kilogramë hashash. Piloti italian Giorgio Riformato 56 vjeç nga Varese, rezulton me precedent të mëparshëm për mashtrim.

"Droga ishte për t’u ngarkuar në avion, dhe po përgatitej për t’u ngarkuar në avion tip ‘Piper’, të drejtuar nga Giorgio Riformato", tha Saimir Bajrami i pyetur nga një Prokuror i Krimeve të Rënda.

Ndërkaq, vijon të merret në pyetje piloti italian Giorgio Riformato, i cili sipas policisë ka qenë vetëm në avion. Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë për bllokimin e avionit, ndërsa po vazhdon hetimet intensive për përfshirjen e personave të tjerë.

Në perditesim

Një operacion i Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ndalimin e një avioni i cili ishte ulur në Divjakë.

Avioni drejtohej nga një pilot me shtetësi italiane, i cili ishte ulur pranë zonës së plazhit.

Dyshimet e para flasin se avioni mund të jetë i përfshirë në trafik droge, trafik i cili është diskutuar së shumti gjatë muajit të fundit. Kjo pasi pranë zonës ku ishte ulur avioni, është ndaluar edhe një mjet që transportonte lëndë narkotike.

Tahiri: Avioni bosh, droga u gjet në makinë

Ministri i Brendshëm Siamir Tahiri në një dalje për mediat, lidhur me bllokimin e avionit në zonën e Divjakës, deklaroi se sipas pretendimeve të pilotit, avioni ka bërë ulje të detyruar pasi i është thyer njëra nga rrotat dhe një helikë, duke u ulur në orën 14.40.

Ministri bëri me dije se avioni është gjetur bosh, ndërsa piloti që e drejtonte është shtetasi italian Giorgio Riformato.

Më tej ai ka bërë me dije se avioni ishte nisur nga aeroporti i Rinasit në orën 13:26, ndërsa ishte i pajisur me leje fluturimi nga Aviacioni Civil me leje Nr. 193, destinacioni i të cilit ishte Italia.

Tahiri tha se kjo është hera e parë që ky avion ulet në vendin tonë dhe se pretendimet për defekt të pilotit pritet të verifikohen gjatë hetimeve.

Në vijim ministri u shpreh se, “Paralelisht me ndalimin e avionit u bë rrethimi i zonës, ku nga ana e policisë u bllokua një makinë tip Mitsubishi me targa  “AA 794 HU” me ngarkesë hashashi, me një peshë rreth 460 kilogramë kanabis sativa. Pak momente më vonë u arrestua drejtuesi i mjetit i cili tentoi ti largohej policisë, konkretisht Saimir Bajrami 35 vjeç, të cilit iu gjetën dhe sekuestruan 27 mijë euro. Bajrami ka jetuar në Itali, ndërsa ka mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë më parë. Aktualisht vijojnë hetimet për të zbuluar nëse avioni është pjesë e tentativës për trafik droge”.

Deklarata e plote nga z.Tahiri:

Sot në ora 14:40 një avion i vogël ka bërë ulje në plazhin e Divjakës, ku edhe është dëmtuar duke thyer njërën nga rrotat dhe elikën. Policia e Shtetit ka ndaluar pilotin, i cili është shtetasi italian Giorgio Riformato.

Nga hetimet paraprake rezulton që avioni është nisur nga Rinasi në orën 13:26 me leje Nr. 193, lëshuar nga Aviacioni Civil, dhe me destinacion Italinë.

Nga të dhënat paraprake, kjo është hera e parë që ky avion ulet në vendin tonë.

Avioni është gjetur bosh, ndërkohë që pretendimi i shtetasit italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të defektit teknik, gjë që pritet të verifikohet nga hetimet.

Paralelisht nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare e zonës, së bashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, është bërë rrethimi i zonës, ku dhe është identifikuar një makinë tip “Mitsubishi” me targe  AA 794 HU, me një ngarkesë drogë e llojit hashash, si dhe disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj.

Në vlerësimet paraprake, mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis.

Sapo jam informuar nga Policia se në këto momente është arrestuar drejtuesi i mjetit, Saimir Bajrami, 35 vjeç, të cilit i janë sekuestruar dhe 27.000 euro.

Nga të dhënat paraprake, ky shtetas ka jetuar në Itali dhe ka mbërritur në Shqipëri vetëm 2 ditë më parë.

Në vijim të hetimeve, Policia e Shtetit do t’ju informojë më shumë për këtë ngjarje, sigurisht edhe nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në atë zonë, janë pjesë e një tentative për trafik të paligjshëm.

Kryeministri Rama: Prova e fortë se shteti po ringrihet

Në një postim të shkurtër në profilin e tij në Facebook për operacionin antidrogë në Divjakë, Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si provën e radhës që shteti po ringrihet.

Rama shkruan, “Operacioni i sotëm antidrogë prova e fortë e radhës se shteti po ringrihet me shpejtësi e Policia e Shtetit është kthyer në krye të detyrës!”.

Berisha: Kapet mushkonja e parë e miellit të Edi Ramës

Lidhur me ndalimin e avionit në Divjakë ka reaguar ish-Kryeministri Sali Berisha. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Berisha thotë se është kapur në Divjakë mushkonja e parë e miellit të Edi Ramës.

“Avioni nuk është ndaluar nga policia as dhe nga ndonjë operacion antidroge por bie nga mbingarkesa. Zoti shpëton shtëpinë e një fshatari pa i rënë avioni mbi çati. Ky është sundimi i drogës”, thotë ndër të tjera ish-Kryeminsitri.

Në një reagim të dytë ish-kryedemokrati thotë se klika Rama-Meta e shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europës!

“Të dashur miq, e vërteta vonon por nuk harron. Dielli me shoshë nuk mbulohet. Thuhet se avioni është nisur nga Rinasi me drogëra të forta dhe në Dijvakë ka marrë ngarkesën (mbingarkesën) tjetër, me të cilën u rrëzua. Piloti është person me precedent kriminal por natyrisht me kontratë për ndarje fitimi me Ramën dhe suitën e tij. Policia ka shkuar me dy orë vonesë. Klika Rama – Meta shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Qytetarë, regjimi punisto – mafioz po damkos dinjitetin tonë dhe të Shqipërisë”, u shpreh Berisha./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit