Transmetuar më 10-05-2014, 14:54

Tiranë, 10 maj 2014, NOA.al-  Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, çeli sot në Tiranë “Fundjavën Gjirokastrite”, një event i organizuar me qëllim promovimin e vlerave turistike të qyteteve më të bukura shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, ministri Veliaj u shpreh se Gjirokastra është një nga superfuqitë në tregun shqiptar pasi shumica e produkteve shqiptare prodhohen aty.

“Gjirokastra është qarku me më pak njerëz që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe me më shumë të zënë me punë. Nuk është vetëm zona më e gjallë në Shqipëri, por edhe zona më punëtore”, deklaroi ministri Veliaj.

Ai u shpreh se sado të kërkojmë turistë të huaj, kemi shumë pak turistë shqiptarë që vizitojnë Shqipërinë, por, nga ana tjetër nuk ngurrojnë të shkojnë në Itali apo Greqi, madje pa qenë asnjëherë në Gjirokastër apo në asnjë nga perlat e kulturës dhe traditës tonë.

Sipas ministrit, Bashkia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me organizata të tjera, ka bërë një punë të mirë për restaurimin shtëpive tradicionale gjirokastrite.

“Sot Gjirokastra ka mbi 200 shtëpi që janë të vizitueshme dhe të hapura për publikun, ndaj përpara se të bëjmë publicitet për vendet e tjera, është e rëndësishme të promovojmë qytetet tona, siç po bëjmë sot në Tiranë”, nënvizoi ministri Veliaj.

Në fund, ai i ftoi të gjithë ata që nuk e kanë vizituar ende Gjirokastrën, që të udhëtojnë një fundjavë në këtë qytet të bukur jugor të Shqipërisë, për të mësuar më shumë për të, e sidomos për të provuar kuzhinën tradicionale gjirokastrite. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit