Transmetuar më 09-05-2014, 21:10

Tiranë, 9 maj 2014, NOA.al- “Aksidenti i rremë” u kodua operacioni i policisë së kryeqytetit i cili vuri në pranga dy punonjës policie dhe një person tjetër bashkëpunëtor i tyre, të akuzuar për falsifikim dokumentash.

Burime zyrtare nga policia i thanë Noa.al, se u vu në pranga për veprat penale të “Mashtrimit dhe Falsifikim i dokumentave nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”, Flamur Krosi 56 vjeç me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë Qarku Lezhë, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë.

Në ngarkim të tij Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

I ndaluari i dytë është Kastriot Bregu 42 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës, me detyrë punonjës policie në sektorin e qarkullimit pranë Drejtorisë së Policisë së Qarku Durrës, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

I ndaluari i tretë është Vullnet Suti 36 vjeç, lindur në Shupenzë, Dibër dhe banues në Rrushbull, Durrës, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të sipërpërmendurit në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohet se kanë përfituar shumën prej 1 milionë lekësh të rinj (10 milionë lekë të vjetra), mbi një aksident automobilistik të improvizuar prej tyre, me synim përfitimin përmes kompanive të ndryshme të sigurimeve.

Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë ende, pasi dyshohet se janë të përfshirë edhe katër persona të tjerë./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit