
Joze Mourinho konfirmoi faktin se Chelsea do të firmosë me një sulmues me peshë në merkaton e ardhshme.
“Blutë e Londrës” kanë vuajtur shumë në repartin e avancuar gjatë këtij sezoni edhe pse kanë në skuadër lojtarë të tillë si Fernando Torres, Samuel Eto’o e Demba Ba, dhe sipas trajnerit portugez, Chelsea ka nevojë për një bomber të nivelit të lartë për të pretenduar për trofe në sezonin e ardhshëm.
Gjatë këtij kampionati Torres, Eto’o dhe Ba kanë shënuar të tre së bashku vetëm 18 gola, dhe ajo çka i ka munguar Chelsea në Premier League në krahasim me rivalët e Manchester City-it dhe Liverpoolit kanë qenë pikërisht golat e sulmuesve.
“Afrimi i një sulmuesi është një temë që ne po e diskutojmë prej kohësh. Në Janar të gjithë ju, më keni pyetur nëse Chelsea do të afrojë një sulmues dhe unë ju pata thënë që ne po punojmë për këtë çështje, por më shumë për të ardhmen sesa për një zgjidhje të menjëhershme.
Është mëse normale që ne jemi duke u përpjekur të afrojmë një sulmues. Ne kemi lojtarë të mirë në ekip, kemi gjithashtu sulmues të mirë, por është e logjikshme që skuadra të kërkojë përforcime.
Do të bëjmë maksimumin për të transferuar te Chelsea një sulmues me emër gjatë merkatos së verës”. Për sulmuesin e ri të Chelsea janë përfolur një sërë emrash, madje para disa javësh u tha se Atletico e Madridit dhe “Blutë e Londrës” kanë arritur akordin për transferimin e Diego Costës në “Stamford Bridge” për një shumë që kap vlerën e 42 milionë Eurove.
Përveç 25-vjeçarit të Los Cholconeros, Chelsea ka shfaqur interes edhe për sulmuesin e Monacos, Radamel Falcao me Joze Mourinhon që e ka shprehur hapur dëshirën për të pasur në skuadër bomberin kolumbian.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





