Transmetuar më 09-05-2014, 17:15

Në vigjilje të Inter-Lazio, Walter Mazzarri rikthehet të flasë edhe njëherë tjetër për derbin me Milanin duke marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete për disfatën ndaj kuqezinjve, citon Supersport.

“Humbja në derbi ndodhi vetëm për fajin tim. I marr të gjitha përgjegjësitë mbi vete për atë disfatë. Edhe pse dëshironim të arrinim më të mirën në atë ndeshje nuk ja arritëm, gjithsesi ajo paraqitje e dobët na motivon më tepër për të marrë rezultat në takimin e ardhshëm”.

Sfida përballë Lazios do të jetë e fundit për Javier Zanettin para tifozëve të Interit. I pyetur për mundësitë që ka kapiteni për ta nisur ndeshjen ndaj bardhekaltërve si titullar, Mazzarri u përgjigj në këtë mënyrë.

“Ai di gjithçka. Largimi i Zanettit nga futbolli është një diçka shumë sinjifikative pasi ai është një pasuri e futbollit botëror.

Shpresoj që në stadium të ketë shumë njerëz për festën e lamtumirës së kapitenit. Shpresoj gjithashtu që largimi i tij nga futbollit të jetë një stimul për të gjithë që të zhvillojmë një paraqitje sa më të mirë ndaj Lazios.

Zanetti titullar? Këtë gjë do ta merrni vesh pak para ndeshjes. Unë zgjedh gjithmonë ata lojtarë që më duken të përshtatshëm që Interi të mundë kundërshtarin.

Edhe ndaj Lazios kështu do të jetë. Zanetti e di shumë mirë këtë gjë dhe është në sintoni të plotë me mua”.

Tifozët e kanë kontestuar së tepërmi trajnerin toskan pas humbjes në derbi, madje kanë kërkuar edhe largimin e tij nga skuadra, por Mazzarri edhe pse i kupton shumë mirë ata theksoi se vendimet merren në fund të sezonit. ”Tifozët kanë gjithmonë të drejtë dhe është mëse normale të jenë të mërzitur pas një ndeshjeje të tillë.

Kritikat e tyre janë të drejta dhe unë i pranoj ato. Megjithatë unë po bëj ç’është e mundur dhe gjithmonë bëj autokritikë, madje kur gaboj e pranoj fajin. Gjithsesi bilancet dhe zgjedhjet e së ardhmes do të bëhen në fund të sezonit”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit