Transmetuar më 09-05-2014, 10:24

Tiranë, 9 maj 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama ka kujtuar 9 Majin Ditën e Europës në një takim me veteranë dhe patriotë të luftës nacionalçlirimtare.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri  tha se 9 Maji është dita e fitores mbi fashizmin ndaj përkujtohet si Dita e Europës.

Ne sot, – tha Rama, – nderojmë sakrificën e dëshmorëve tanë që dhanë gjënë më të shtrenjtë jetën e  tyre gjatë luftës.

“Në një kohë kur 7 e 8 maji në Europë njihen si data me rëndësi historike që shënojnë kapitullimin pa kushte të Gjermanisë naziste, 9 maji përkujtohet si Dita e Europës; Dita e fjalës së famshme të Ministrit të Jashtëm të Francës Robert Schumann, në 9 maj të vitit 1950, në të cilin ai shpalli propozimin e jashtëzakonshëm për Europën e Bashkuar”, u shpreh Rama.

Në vijim kreu i qeverisë tha se për shkak të angazhimit në luftë, duke përfshirë dhe moskuptimet e mëdha, shqiptarët paguan një çmim të jashtëzakonshëm gjaku dhe sakrificash të panumërta njerëzore dhe nderimi i këtyre sakrificave është nderi i çdo gjenerate shqiptarësh.

Rama deklaroi më tej se nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo qeverie shqiptare.

Ai tha se ende pas 70 vitesh nga përfundimi i luftës, në Shqipëri, diskutimi për luftën vazhdon të jetë i nxehtë dhe guximi për ta parë luftën realisht, ashtu siç ajo ishte dhe për të lexuar në faqet e asaj lufte jo të shkuarën, por të ardhmen e shoqërisë dhe të shoqërisë së përbashkët europiane, nuk është ai i dëshiruari për një shoqëri të lirë.

“Në jo pak raste, njerëz apo grupime të caktuara në vend që të bëjnë luftën e tyre me armët e paqes, për Shqipërinë sotme dhe të nesërme, bëjnë gjithçka munden që të mbajnë gjallë duke ushqyer në forma nga më të papranueshmet, konfliktet e lindura mes shqiptarëve në luftë dhe të ushqyera për vite të tëra mbas luftës, në funksion thjesht dhe vetëm të pushtetit. Denigrimi i papërgjegjshëm i luftës dhe përdhosja e gjithë atyre vlerave të larta, që populli shqiptar i nxori në pah pikërisht përmes asaj lufte që ka qenë dhe do të mbetet në jetë të jetëve, një nga faqet më të shkëlqyera që ky popull ka shkruar. Është vërtet një akt i ulët publik, që gjen hapësirë për t’u shfaqur e rishfaqur në veprim, thjesht dhe vetëm në funksion interesash që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin real, për ta parë, për ta shkruar, për ta lexuar e për ta kuptuar historinë si një instrument në funksion të së ardhmes”, tha ndër të tjera Kryeministri.

Ai u shpreh se qeveria ka detyrimin, por edhe nderin të përfaqësojë edhe ata që sot nuk jetojnë më, që nga ata që dhanë jetën për Shqipërinë që të gjithë duam, deri tek ata që për arsye të ligjeve të natyrës, veteranë të luftës ndahen ditë pas dite.

Kreu i ekzekutivit theksoi se Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të luftës, jo si një faqe e lavdishme e të shkuarës, por si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen, duke shtuar se duhet refuzuar me vendosmëri çdo përpjekje për keqpërdorim dhe abuzim me Luftën Antifashiste, nga çfarëdo anë që ajo vjen./e.gj/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit