Transmetuar më 08-05-2014, 11:12

Mitingu ndërkombëtar i fluturimit të Lirë “Albania Open 2014” startoi nga qielli i qytetit të Vlorës, citon Supersport.

Rreth 80 konkurrentë do të garojnë mes tyre për 5 ditë. Ky është edicioni i 15-të që zhvillohet në vendin tonë, ndërsa risia e këtij viti është zgjerimi i hartës pasi për herë të parë një pjesëmarrës vjen nga Bjellorusia dhe një tjetër nga Gjermania.

Rrugëtimi nisi nga pjesa e plazhit të ri të qytetit të Vlorës për t’u ngjitur në 650 metra mbi nivelin e detit, ku garuesit e parë nisën provat për garën nga e cila do të dalë edhe një fitues, i cili përveç kupës simbolike do të fitojë edhe një balonë të re.

Në ditën e parë, tabloja e garuesve nuk ishte ende e plotë pasi grupi i pilotëve do të kompletohet gjatë ditëve të ardhshme për të kulmuar me garën në ditën finale të evenimentit.

Kushtet e motit rezultuan optimale në qafën e Shashicës ku arbitri maqedonas Zlatko Spirkoski zbardh edhe disa detaje interesante rreth garimit.

Përveç garimit që çdo vit merr përmasa edhe më serioze, një prej qëllimeve kryesore të organizimit të këtij eventi është edhe afrimi i sa më shumë të rinjve. Parashuta mund të jetë e rrezikshme po aq sa një biçikletë pohojnë garuesit, mes të cilëve ndodhen edhe shumë të rinj nga Shqipëria. “Albania Open 2014” do ta mbyllë siparin në datën 11 Maj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit