


Mund të duket e çuditshme, për disa absurde, dhe sigurisht që dikush do të përpiqet ta përgënjeshtrojë informacionin që e përditshmja AS në Spanjë e jep me garanci të plotë.
Javë më parë kur diskutimet mes përfaqësueve të Messit dhe të Barcelonës ishin shumë larg një qëndrimi të përbashkët, në zyrat e klubit në Camp Nou mendohej seriozisht shitja e argjentinasit, menjëherë pas përfundimit të Botërorit të Brazilit, citon Supersport.
Nuk bëhej fjalë thjesht për një hamendësim të momentit, por për një objektiv, që do të shndërrohej në bumin e merkatos së verës.
Aq larg kishin shkuar planet, sa nga një zyrë pranë asaj të presidentit Bartomeu, dhe këtu nuk bëhet fjalë për Zubizarretan, është dërguar një email në adresë të të atit të Leo Messit, ku informohej se sulmuesi do të nxirrej në merkato me shifrën e klauzolës, pra 250 milionë Euro.
Nga ky mal parash, 10% do të shkonin si kompensim në xhepat e agjentinasit, thuajse asgjë para kësaj shifre stratosferike.
Prej kohësh te blaugranat ishte ngritur një mur super i lartë, i pamundur të depërtohej për të mbërritur te Messi, me ofertat që vinin njëra pas tjetrës, të gjitha të refuzuara pa asnjë mëdyshje sepse 4 herë fituesi i Topit të Artë ndihej i lumtur te Barça.
Verën e kaluar ishin Paris Saint Germain, Chelsea, Manchester City e madje u përfol se edhe Reali i Madridit ndoshta mendonte për Messin, por menjëherë pas këtyre zërave, hierarkia blaugrana vendosi t’i ofrojë rinovim për ta bërë më të paguarin në botë.
Ftohja mes palëve gjatë këtij procesi të gjatë duket se ka kaluar bashkë me dimrin dhe firma mbi kontratën e re, tani është vetëm çështje kohe.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





