
Finalja e Kupës së Shqipërisë, Kukësi – Flamurtari, e programuar për t’u zhvilluar më 17 maj, do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, citon Supersport.
Federata Shqiptare e Futbollit, duke marrë në konsideratë faktin që për të akomoduar një numër të madh tifozësh dhe për të shmangur përplasjet mes tyre, kërkohet një impiant me kapacitet më të madh, vendosi që sfida e fundit e sezonit 2013-2014 të zhvillohet në kryeqytet.
Nuk është konfirmuar zyrtarisht vetëm orari i ndeshjes, por gjasat janë që kjo finale e shumëpritur të nisë në oren 20:00.
Meqenëse finalja e Kupës së Shqipërisë luhet në fushë asnjanëse, klubet finaliste duhet të bien dakord edhe për ndarjen e vendosjen e tifozëve në stadium, ku një pjesë e konsiderueshme e ndenjeseve mes mbështetesve verilindorë dhe atyre vlonjatë pritet të jenë bosh.
Në fakt pak ditë më parë, Kukësi i ka dërguar një kërkesë zyrtare FSHF-së që Finalja e Kupës të zhvillohej në Niko Dovana të Durrësit, për shkak të terrenit të amortizuar të Qemal Stafës, por ky pretendim nuk është marrë parasysh nga institucioni i futbollit, pasi stadiumi i kryeqytetit ofron më shumë siguri në akomodimin e tifozëve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





