Transmetuar më 08-05-2014, 12:36

Tiranë, 8 maj 2014, NOA.al- (Përditësuar) Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon qeverinë se ka heshtur për  thyerjen e embargos me Iranin. Gjatë fjalës së tij në Kuvend Berisha tha se opozita do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për të qartësuar lajmet e përhapura së fundi në disa media ndërkombëtare, për thyerjen e embargos së naftës me Iranin nga ana e Shqipërisë.  Sipas ish-kryeministrit, është e papranueshme heshtja e qeverisë për këtë çështje.

“Unë jam këtu për të denoncuar në emër të grupit një problem tmerrësisht shqetësues. Agjensitë e lajmeve, shtypi më prestigjioz europian dhe amerikan kane shkruajtur se Shqipëria ka thyer embargo e naftës me Iranin. Agjensia Ndërkombëtare Atomike, watch dog-u i OKB-së për embargo e Iranit, në raportin e saj të fundit informon se embargo e kanë thyer Shqipëria dhe Siria me dt 20 ose 22 mars, pra ka dhe datën e ngarkesës.  Qeveria iraniane nëpërmjet një zëdhënësi të saj ka informuar se Shqipëria nuk ka marrë naftë në Iran. Por dua të them këtu se ajo që është më  e rënda është heshtja si fija e barit e qeverisë shqiptare, e cila për një gjë që cenon interesa të mëdha të shqiptarëve në botë ndërhyn në një nga proceset më të rëndësishme të paqes botërore. Pra është denoncuar nga watch dog-u i OKB-së se ka thyer embargon me Iranin. Qeveria ka heshtur si fija e barit ndërkohë aleati juaj e di mirë vizitat e shpeshta në Iran që janë zhvilluar gjatë viteve të kaluara nga eksponentët më kryesorë të opozitës për arsye të cilat pyesni zotin Meta, për arsye të cilat i dinë ata vetë. Kanë lidhje a s’kanë lidhje këtë nuk e di. Thyerja e embargos përbën një akt jashtëzakonisht të rëndë kombëtar dhe ndërkombëtar”, u shpreh Berisha.

Ai tha se përbën një akt shumë të rëndë ndërkombëtar sepse thyhet ligji ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë ndaj dy aleatëve, SHBA dhe Izraelit.

Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën pas ish kryeministrit Berisha duke u shprehur, se thyerja e kësaj embargoje ka ndodhur. Rama tha se publikimi që lidhet me këtë çështje është e para një viti.

“Më detyruat të dalë këtu dhe t’u them se po ka ndodh, fatkeqësisht ka ndodhur, bazuar në dokumentacion që disponohet qoftë prej atyre që e kanë publikuar, qoftë prej nesh”- tha Rama.

Ai ka shtuar më tej se nuk duhet të shfrytëzohet kjo çështje, pasi është në dëm të Shqipërisë.

“Kisha vendosur ta kurseja këtë sqarim, në respekt të shtetit shqiptar, por dhe duke u përpjekur të respektoj paraardhësit. Nuk dua se ajo çka do them, të shfrytëzohet në dëm të Shqipërisë. Më vjen keq për ata që u besojnë dhe shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare. Ndërkohë, publikimet e sotme i përkasin vitin të shkuar. Në pesë raste vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë-Thana”-, u shpreh kryeministri Rama.

Më pas seanca është përfshirë në debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, duke e detyruar kryetarin e seancës z. Dule, ta ndërpresë atë për disa minuta.

Deklarata e plotë e z.Rama mbi thyerjen e embargos

Kisha vendosur ta kurseja këtë sqarim, në respekt të shtetit shqiptar, por edhe duke u përpjekur të mirëkuptoj paraardhësin në detyrë, dhe pa dashur, në asnjë mënyrë, që çka do të them të shfrytëzohej në dëm të Shqipërisë dhe të bëhej spekulim politik.

Mirëpo nuk ma dhatë këtë mundësi. Më detyruat që të dal këtu dhe t’ju them: Po, ka ndodhur! Fatkeqësisht, ka ndodhur! Ka ndodhur! Ka ndodhur ekzaktësisht kështu siç do t’ju them, bazuar në dokumentacionin që disponohet, qoftë prej atyre që e kanë publikuar, qoftë prej nesh. Më vjen keq për ata që ju besojnë kur ju shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare, siç paturpësisht e filluat që me deklaratën e Sekretarit të Shtetit në dhjetor, për të fajësuar qeverinë tonë, ndërkohë që të gjitha publikimet e sotme i përkasin vitit të shkuar.

Publikimi që lidhet me këtë çështje i përket në 5 raste, vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë Thana. Artikulli i importuar është vaj bazë, në sasinë 108 110 kilogram, si mëposhtë vijon:

1-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës, 11721; kodi 42710; datë 04/03/2013. Pesha neto, 21 470 kg.

2-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 12718; kodi 42710; datë 08/03/2013. Pesha neto, 21 500 kg.

3-Dogana hyrëse Kapshtica, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 14752; kodi 42710; datë 18/03/2013.

Për të qenë i saktë, se është në bashkëpunim me partnerët kjo dhe ata datat i vendosin ndryshe nga ne datat, këto i përkasin datave 4 mars 2013, 8 mars 2013, 18 mars, 2013, 25 mars 2013. Janë parterët këta, Sali.

4-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 16211; kodi 42710; datë 25/03/2013. Pesha neto, 21 820 kg.

5-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 16196; kodi 42710; datë 25/03/2013. Pesha neto, 21 780 kg.

Kaq për sot. Fillo hetimin se do të dëgjosh të tjera. 

***

E thashë edhe në ndërhyrjen  e parë që kisha gjithë dëshirën që ta kursenim këtë debat dhe t’ia kursenim vendit disa të vërteta, që fatkeqësisht janë të hidhura. I keni prodhuar ju dhe sot kërkoni të na fajësoni ne. Nga ana tjetër është po kaq fatkeqësi që keni qenë 8 vjet në krye të vendit, besoj e dini mirë si funksionon gjithë ndërveprimi i Shqipërisë me partnerët e vet dhe, edhe pse duhet ta kishit ditur mirë se këto gjëra nuk shpëtojnë pa lënë gjurmë, përsëri fakti që sot kërkoni t’i përdorni kundër nesh, ju fajëson drejtpërdrejtë.

Unë nuk do të kisha dashur kurrë që të dilja dhe t’i sillja këto fakte këtu. Këto fakte janë të njohura për ne më parë, por më detyruat me këtë sulm të paskrupullt që i bëni qeverisë së sotme, ndërkohë që në informacionin e tërësisht të bashkërenduar me partnerët, po ju nxjerr dhe një fakt tjetër. Nuk po shkoj më tutje për të folur për kompaninë. Unë asnjëherë nuk i përmend emrat e kompanive, cilado qofshin sepse është parim, që e kam, që mes kompanive dhe politikës duhet të ketë distancë. E, për më tepër pastaj kompania sigurisht duhet të kalojë në një proces skanimi të plotë. Por, një gjë është pak më e sigurt. Kompania nuk ka asnjë lidhje me vitet dhe me angazhimin tonë politik.

Po e mbyll duke ju thënë; Nga sa më sipër rezulton se gjatë periudhës shtator 2013 dhe në vazhdim, nuk ka asnjë deklaratë dhe asnjë fakt që të lidhë Shqipërinë me eksportin e vajit bazë nga Irani, i cili është zhvilluar në kornizën e 5 hyrjeve të lartshënuara".

Rama për ish- pronarët: Rrëmujë pronash

Kryeministri Edi Rama duke folur për pronën dhe ish- pronarët deklaroi se harta e ish-pronarëve është shpërdoruar.

Ai tha se atë që në 20 vjet pronarët kanë pritur ta realizojnë nga qeveria e kaluar pritshmëritë por se mazhoranca aktuale ka marrë përsipër ta fusë në rrugën e zgjidhjes me një reformë e cila është në rrugën e realizimit e cila kërkon një vit kohë.

Sipas tij harta e ish-pronarëve është shpërdoruar, duke theksuar se është trashëguar një arkiv me numra protokolli dhe pa dokumente brenda.

Kreu i qeverisë e cilësoi si një rrëmujë pronash të trashëguara pa referencë hapësinore, pasi janë favorizuar pronarë që janë krijuar nga mazhoranca e kaluar. Ai akuzoi mazhorancën e kaluar se ka tërhequr shtetin nga gjykata.

Përmbledhje e seancës, votohet Komisioni Hetimor për trafikun e drogës

Nën drejtimin e Kryetarit  z. Ilir Meta, Kuvendi  u mblodh sot  në seancë plenare. Fillimisht deputetja e opozitës, znj. Mesila Doda  i kërkoi Kuvendit që të mbajë  një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe publicistit  të njohur z. Amik Kasoruho.

Më tej, deputetët e opozitës propozuan që në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, të përfshihen  një sërë amendimesh,  për  mosndërprerje të mandatit të AMA, për “Nëpunësin Civil”, për “Amnistinë”,  për Ndryshimin e Rregullores së Kuvendit,  për Moratoriumin e Skafeve,  për   ndreqjen e gabimit material tek Amnistia,  për sigurinë e kufijve, trafikun e drogës, SHIU,  për të përndjekurit,  për naftën e Iranit.

Kuvendi  me votat e mazhorancës rrëzoi  amendamentet e propozuara nga opozita. Kryetari i Kuvendit,  z. Ilir Meta tha se  vetëm një amendament është në përputhje me rregulloren, ai për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”,  ndërsa të tjerat janë në shkelje të saj.

“Amendamentet në kalendar nuk i referohen programit të punës dhe pjesa më e madhe e tyre janë kompetencë e komisioneve dhe jo e seancës plenare”, sqaroi z. Meta.

Në vijim, Kryetari z. Meta njoftoi seancën për vendimin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, për  shpalljen e vendit  vakant,  të kryetarit të Autoritetit  të Mediave Televizive.

Ndërkohë që kryetari i këtij komisioni z. Genc Pollo  kërkoi edhe  njëherë rishqyrtimin e ligjit.

Në përgjigje të kërkesës së z. Pollo, Kryetari z. Meta  u shpreh se : “Nuk do ta rishqyrtoj, sepse e kam shqyrtuar shumë mirë, që do të thotë se sot kam bërë njoftimin, sepse  vendimi i komisionit ka ardhur pasi është bërë publik rendi i ditës. Kështu që vendimin që thatë ju, me të drejtë, siç parashikon ligji, Kuvendi do ta marrë, pasi unë të konsumoj edhe takimin me Konferencën e Kryetarëve për rendin  e ditës. Kështu  që  besoj se jemi në sintoni të plotë.”- deklaroi z. Meta.

Gjatë fjalës së tij, Ish Kryeministri z. Sali Berisha  kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për thyerjen e embargos së naftës me Iranin nga ana e Shqipërisë.

“Shqipëria ka thyer embargon e naftës me Iranin që përbën një akt shumë të rëndë ndërkombëtar, sidomos ndaj dy aleatëve tanë SHBA dhe Izrael, ndërkohë që ne duhet të ishim vendi i fundit në Evropë, që mund t’i lejohej një akt i tillë. Potenciali bërthamor i Iranit është rreziku numër një i paqes botërore. Komisioni do merret me qartësimin në të gjitha aspektet.” deklaroi z. Berisha.

Ndërsa, Kryeministri z. Edi Rama sqaroi se Shqipëria e ka thyer embargon e naftës me Iranin gjatë muajit mars të vitit 2013.

“ Në pesë raste vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë- Thana. Dhe për të qenë i saktë datat janë 4, 18 dhe 25 mars 2013. Artikulli i importuar është vaj bazë, në sasinë 108 110 kilogram.”- u shpreh z. Rama.

Gjithashtu, Kryeministri z. Rama theksoi se  qeveria  nuk ka asnjë fakt apo deklaratë që ta lidhë Shqipërinë me thyerje të embargos me Iranin.

Lidhur me amendamentin për trafikun e drogës,  deputeti i PD-së, z. Arben Ristani, akuzoi qeverinë se në krye të policisë ka vendosur persona, që vrasin njerëz të pafajshëm.

Në përgjigje të akuzave të opozitës, Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri tha se punonjësit e policisë  do të bëjnë detyrën, duke vënë ligjin dhe drejtësinë në vend.

Seanca vijoi me  diskutime për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar  dhe e miratoi atë me 71 vota pro.

Në emër të grupit parlamentar të PS, z. Pandeli Majko theksoi se prona legjitime dhe e drejta e saj, janë nënkuptuar si çështje politike të humbur. “E drejta e pronës është pamja e së djathtës në Shqipëri. Ajo ndoqi kurbën e moralit të “legalizimit” si të djathtë të individëve të së majtës që ndërruan partinë komuniste me pushtetin. Çështja e pronës u zëvendësua me çështjen e legalizimeve të shtëpive në pronat e të djathtëve të përfaqësuar”- tha z. Majko.

Ndërsa, deputeti i opozitës, z. Eduar Halimi tha se jemi kundër këtij projektligji, i cili nuk sjellë asnjë të mirë për pronarët.

Lidhur me projektrezolutën “Për vlerësimin e punës të Këshillit Drejtues të RTSH-së për vitin  2013”, në emër të Grupit Parlamentar të PS, znj. Valentina Leskaj  theksoi se Televizioni Publik drejtohet nga një Këshill që nuk ka mandat, ndërsa  kërkoi bashkëpunimin e opozitës në reformimin e këtij institucioni, sfida kryesore e të cilit është kthimi i besueshmërisë te publiku.

Në fund të seancës, u miratua dhe  projektvendimi “Për një shtesë  në vendimin nr.26/2014 “Për krijimin e komisionit hetimor të Kuvendit për hetimin e akuzave mbi implikimin e forcave të armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme transportin e lëndëve narkotike”, ku nga maxhoranca kryetare u zgjodh  znj. Ermonela Felaj dhe opozita nënkryetar z. Oerd Bylykbashi./e.gj/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit